Vdekja e Matilda Petritit, për herë të parë mjekët dalin kundër mjekut
Deri më sot në Shqipëri nuk kemi një proces gjyqësor ku një mjeku t'i konfirmohet akuza e Prokurorisë, ajo e mjekimit të pa kujdesshëm. Nuk kemi sot asnjë mjek të dënuar me burg si plotësisht fajtor për vdekjen e pacientit pasi ka gabuar gjatë operacionit. Ndërsa sot drejtësia shqiptare regjistron rastin e parë kur mjekët akuzojnë kolegun e tyre për vdekjen e Matilda Petritit. Katër mjekë të mjekësisë ligjore kanë dëshmuar në Gjykatën e Tiranë raportin prej 50 faqësh ku tregonin me detaje se si ka gjetur vdekjen nga bajamet 16-vjeçarja nga Pogradeci e cila ishte operuar nga mjeku Xhevahir Hoxhallari. Eksperët gjatë dëshmisë së tyre kanë shpjegur se nga autopsia e kryer në trupin e Petritit ka rezultuar se gjatë operacionit të bajameve mjeku Hoxhallari i ka dëmtuar enën e gjakut duke e prerë 2 centimetër. Kjo i ka shkaktuar Matilda Petritit edhe hemoragji dhe dërgimin e saj nga klinika private që ishte operuar në Pogradec në Qendrën spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë. Madje edhe këtu ekspertët kanë gjetur shkelej pasi sipas tyre në ligj thuhet se shefi i ORL-së është ai që duhet të japë firmën për shtrimin e pacientes si dhe më pas operimin e saj, gjë që kjo nuk ka ndodhur. Por në sallën e gjyqit kanë qenë prezent edhe prindrit e Matilda Petritit ku nëna e saj ka reaguar disa herë gjatë dëshmive të ekspertëve e dëshpëruar për humbjen e vajzës në prill të vitit 2008. Për kete vdekje mban akuzën mjeku Xhevahir Hoxhallari, vendimin për fajësinë ose pa fajësiën e tij do e japë Gjykata e Tiranës.