Ligjin e bëjnë kabllorët

Pavlina Mani në filmin "Oshtimë në bregdet". Një nga filmat e "paketës së Kinostudios" që piratohen në çdo kohë nga TV-të shqiptare
Elsa Demo
Në raportimin e parë të hapur që pati dje projekt-ligji për të drejtën e autorit në Shqipëri, u përmendën disa të reja që ai sjell. Një e re që ka të bëjë me të drejtat ekonomike të autorit, është njohja e të drejtës së ritransmetimit kabllor.
Në ndryshim nga ligji paraardhës i vitit 2005, ky projektligj që akoma nuk i është nënshtruar diskutimit publik, sjell të reja në disa drejtime, që nga stabilizimi i termave, për shembull, për përkufizimin e vepër e cila duhet mbrojtur nga copyright-i deri dhe për zbatimin e procedurave civile dhe sanksioneve penale për kundërvajtësit.
E reja e lartpërmendur synon të rregullojë një nga problemet që ndesh vitet e fundit përdorimi i trashëgimisë filmike e televizive nga televizionet kabllore. Të drejtat e autorëve në këtë fushë, i mbron dhe i ushtron, një nga katër agjencitë e administrimit kolektiv të të drejtave, FMAA. Me ligjin e ri, e drejta e ritransmetimit kabllor ushtrohet vetëm nëpërmjet agjencisë së administrimit kolektiv.
Regjisori Esat Musliu, përfaqësuesi i FMAA-s që ushtron aktivitet prej tetë vjetësh bën një bilanc të fundit për gjendjen e përdorimit dhe abuzimit të veprave kinematografike e televizive që ky forum mbron, krijime prej vitit 60 deri më sot. Janë rreth 210 filma të periudhës 1957-1990 dhe rreth 15 të periudhës së dytë 1991-2011.
Në këtë paraqitje të parë të projektligjit, u përmendën të drejtat ekonomike të autorit që burojnë nga përdorimi i veprës me ritransmetim kabllor. Kjo është një fushë që mbulon agjencia juaj. Si paraqitet gjendja aktuale me TV kabllorë?
Për televizionet kabllore ligji nuk është akoma i kompletuar. Por gjendja është kjo. Forumet ndërkombëtare, që nga EBU-ja, te kanalet në gjuhën spanjolle apo gjermane, janë ankuar për kabllorët tanë sepse emetojnë kanale të tyre si Rai Uno, Rai Due, Tele 5, Alpha, Arté etj.. Kabllorët shqiptarë transmetojnë pa licencën e burimit siç e kërkon ligji ndërkombëtar. Ligji këtu tek ne i ka mbyllur të dy sytë dhe i lë kanalet kabllore të bëjnë çfarë të duan dhe të transmetojnë të gjitha kanalet televizive të Europës që i shikojnë të arsyeshme. Kjo pirateri është e pakontrollueshme. Raportet pranë Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit janë të rreme.
Ligji i ri parashikon ngritjen e një Komiteti Shtetëror Kontrolli dhe Arbitrazhi?
Kjo mbetet për tu diskutuar. Në çmënyrë, me çmjete do të bëhej ky kontroll?
Çfarë raportesh të fundit keni ju për piratimin e autorëve shqiptarë që mbroni?
Janë veçanërisht dy kanale televizive kabllore në Tiranë. ABComi ka futur në administrim një kanal televiziv kabllor që quhet Star cable. Në reklamën që bën thotë se transmeton internet, telefoni dhe kabllor. Ky kanal televiziv deri vonë kishte një kanal të vetin ABCom Promo i cili për një kohë të gjatë ka transmetuar filma shqiptarë. Ne e denoncuam këtë.
Çfarë arritët?
E ndërpreu transmetimin por nuk e pagoi gjobën për atë produkt që e kishte shfrytëzuar për disa muaj rresht.
Deri ku shkon abuzimi i kanalit tjetër kabllor?
I quajturi Alpha Cable, është pirati më i madh për filmat shqiptarë dhe nuk pranon të lidhë asnjë lloj kontrate me Qendrën Kombëtare Kinematografike dhe përfituesit kryesorë nga kjo kontratë është Forumi i Mbrojtjes së Autorëve Audiovizual.
Nga një bilanc i vitit që latë pas: çfarë të ardhurash keni marrë nga përdorimi i veprave kinematografike e televizive?
Nuk bëhet fjalë për të ardhura nga kabllorët. Problemi i tyre është që blejnë komplet ose i piratojnë kanalet e Digitalb-it ose Tring-ut, dhe kështu ata piratojnë filmat shqiptarë që transmetojnë këto kanale. Kjo kërkon zgjidhje. Në kontratën që bën edhe Digitalbi edhe Tring-u, ka një pikë që thotë: ndalohet rishitja e produktit filmik të kanaleve të tjera televizive, qofshin kabllore, qofshin lokale. Në këtë anë ka një spekulim: për shembull Kosova ka një kanal që quhet Ipko i cili transmeton gjithë kanalet televizive të Digitalb-it.
Domethënë është abuzuar edhe në Kosovë?
Po. Sepse në Kosovë ne nuk mund të shesim asnjë gjë. Kanali Kujtesa që ishte i lidhur me Tring-un ka transmetuar për një kohë vetëm filma shqiptarë e që ishin shumë të kërkuar. Me insistimin tonë Kujtesa e Kosovës e ndërpreu transmetimin ilegal dhe bëri kontratë me QKK-në. Tani vazhdon transmetimin në mënyrë të ligjshme dhe të rregullt.
Siç ju thashë, në Shqipëri asnjë kabllor nuk paguan për transmetimin e filmit shqiptar. sepse mungon kontrolli dhe sepse me gjithë denoncimet që bëjmë ne, ligji për kabllorët është i pakompletuar. KKRT, ZSHDA na thonë ti drejtohemi organeve gjyqësore. Me TV KOHA vazhdon prej 3 vjetësh gjyqi. Ndodh që proceset të shkojnë edhe 5 vjet. Po kjo ska kuptim. Vëmendja e gjykatave nuk është aq serioze kundrejt piraterisë së filmave se sa kundrejt një vjedhjeje, një krimi, një akti penal çfarëdo.
Sa ka ndikuar kjo gjendje në pagesat e autorëve?
Forumi ynë ka të anëtarësuar 80 autorë, regjisorë e skenaristë të filmit artistik e televiziv, dokumentar dhe të animuar. Të drejtat e kompozitorëve i mbron Agjencia Albautor. Regjisorë si Kristaq Dhamo, Dhimitër Anagnosti, Muharrem Fejzo, Viktor Gjika, Piro Milkani etj., kanë marrë për vitin 2011 mbi 100 mijë lekë. Kjo bëhet e mundur falë kontratave të rregullta me televizionet si Digitalb, Tring, TVSH, Channel One, Tv Ora etj.. Ka edhe TV që janë periferikë dhe janë të rregullt në përdorimin e veprave të autorëve shqiptarë.
Arrin Forumi të mbrojë të përdorimin e pjesshëm të filmave shqiptarë, gjë që shihet kryesisht në përdorimin e dokumentarëve të vjetër?
Po. Ju jap shembullin e emisionit Portokalli në Top Channel i cili merr fragmente filmash shqiptarë që i parodizon. Ata kanë arritur me një kontratë të shlyejnë edhe një vit të tërë që kishin pa leje. Në këtë rast, për përdorimet e pjesshme, kontrata lidhet me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit. Tarifa për minutë është 2000 lekë. Me dokumentarin është praktikë tjetër, shiten pak, sepse edhe çmimi për minutë është i lartë. Por pranë Forumit tonë janë atashuar edhe veprat filmike pas viteve nëntëdhjetë. Një pjesë, arrijmë ta mbrojmë.
Me këtë intensitet përdorimi të trashëgimisë së Kinostudios, si parashikoni, deri kur do të ishin këta filma burim sado i vogël të ardhurash për autorët?
Unë mendoj që do të jenë përjetësisht. Dhe sa më shumë kohë të kalojë, edhe më do tu shtohet vlera.
Ritransmetim kabllor
Është ritransmetimi i njëkohshëm, i patjetërsuar dhe i pandërprerë te publiku nëpërmjet sistemit me tel ose mikrovalor për marrjen nga publiku të transmetimit që vjen nga një organizatë tjetër transmetuese;
Masa e shpërblimit për autorizimin e dhënë nga agjencia e administrimit kolektiv përcaktohet në bazë të pagesës që duhet ti paguajnë, çdo abonent rrjeteve kabllore, për shërbimet e këtyre të fundit. Në rastin e programeve televizive të ritransmetuara me kabëll, 40% i shkon autorit apo mbajtësve të tjerë të së drejtës së autorit mbi veprat audiovizuale, 30% interpretuesit/ekzekutuesit të vepr