Tokat në përdorim, smerr tapi kush ka ndryshuar vendbanimin

Kryeministri Berisha dhe Ministri Pollo i cili është njëkohësisht edhe Kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës
Emirjon Senja
Parlamenti është duke miratuar ndryshime të rëndësishme në lidhje me procedurat e regjistrimit në hipotekë të tokave bujqësore që janë ndarë në fillim të viteve 90, të cilat bujqit i zotërojnë dhe i shfrytëzojnë formalisht por nuk disponojnë dokumente. Bëhet fjalë për ato sipërfaqe toke të shpërndarë tek individë dhe familje të ndryshme pas shpërbërjes së kooperativave apo ndërmarrjeve bujqësore, proces i cili kryesisht në zonat kodrinore dhe malore, u la përgjysmë nga komisionet e ndarjes duke mos dorëzuar dokumentacionin e marrjes në pronësi. Në këto kushte, fermerët e morën de facto tokën në përdorim, por nuk mund ta gëzojnë me dokumente duke i mbyllur kështu rrugën edhe shitjes apo lënies si kolateral për marrjen e një kredie.
Ligji
Të gjithë ata që kanë marrë një sipërfaqe toke në përdorim në fillim të viteve 90 por që kanë ndryshuar vendbanimin e tyre gjatë viteve të mëpasshme, nuk do të mund të përfitojnë nga ndryshimet ligjore që po miratohen në Kuvend. Përdorues i tokës bujqësore, në kuptim të këtij ligji, do të konsiderohen familjet bujqësore apo individët që janë banorë të komunës apo bashkisë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe, në asnjë rast, nga 1.10.1992 nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre sipas regjistrit të gjendjes civile dhe që faktikisht e përdorin tokën bujqësore, – përcakton ligji. Nga ky kufizim pritet të preken shumë persona dhe familje, të cilat kanë ndryshuar vendbanimin gjatë këtyre dy dekadave. Aq më tepër kur fillimi i viteve 90 ishte edhe periudha e lëvizjeve të mëdha demografike që karakterizuan vendin në atë periudhë. Krahas kësaj, nisur edhe nga mënyra se si është formuluar neni i mësipërm, ata që kanë marrë tokë në përdorim por kanë lëvizur më pas nuk kanë më mundësi të kthehen përsëri me gjendje civile në komunën apo bashkinë e mëparshme qoftë edhe me qëllim përfitimin nga ky ligj.
Pas hyrjes së ligjit në fuqi dhe nxjerrjes së udhëzimeve nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, të gjithë pronarët e sipërfaqeve të tokës që për arsyet në fjalë nuk kanë dokumente për pronësinë mbi të, duhet tu drejtohen komunave dhe bashkive me kërkesë për të marrë Aktin e Dorëzimit të Tokës në Pronësi. Dhënia e tij kalon nëpër një serë procedurash, të cilat fillojnë dhe mbarojnë nga këshillat e komunave dhe bashkive. Pas kërkesës këshillat e komunave dhe bashkive bëjnë vetë nga ana e tyre verifikimet nëse sipërfaqja për të cilën bëhet fjalë është apo jo në përdorim të pretenduesit. Më pas e dorëzojnë kërkesën për të bërë verifikimet e mësipërme në Drejtoritë e Administrimit të Tokës Bujqësore në qark.
Këto të fundit do të bëjnë verifikimet dhe nëse toka nuk është në proces legalizimi; nuk ka kaluar në fondin për kompensimin fizik të pronës; nuk është miratuar ndonjë projekt nga qeveria mbi të; nuk ka pretendime të tjera mbi të etj., dhe do të miratojnë dhënien e aktit të dorëzimit. Aktet e marrjes së tokës në pronësi, të përfituara nga familjet bujqësore apo individët, pa pasur më parë Akt të Marrjes së Tokës në Përdorim, apo duke patur Akt të Marrjes së Tokës në Përdorim, të lëshuar pas shkurtit të vitit 1996, si dhe që plotësojnë të gjitha kushtet e tjera të legjislacionit të kohës, do të konsiderohen të vlefshme, – përcakton ligji. Pasi të marrë vërtetimin, përdoruesi i tokës ka të drejtë që të shkojë tek Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të nxjerrë tapinë e saj.
Jemin Gjana
Shumë individë apo edhe familje i kanë letrat në dorë dhe për efekt të neglizhencës e burokracive nuk i kanë kthyer në certifikatë pronësie
Blendi Klosi
Është e vështirë që projektligji të të çojë në një zgjidhje reale të problemit. Ligjet me fraksione janë teknologji e re? Çfarë zgjidh ky projektligj?
Përjashtohen:
Tokat që janë në proces legalizimi
Tokat që kanë kaluar në fondin e kompensimit fizik
Tokat për të cilat është lëshuar vërtetim deri në vitin 2008
Tokat bujqësore që iu është ndryshuar destinacioni
Ka pretendime nga të tjerët dhe është në proces gjyqësor