Ligjin për Duhanin nuk e respektojnë të gjithë

Edhe pse Ligji mbi Kontrollin e Duhanit ka hyrë në fuqi të mërkurën, një ditë më vonë (të enjten), ende nëpër disa lokale të kryeqytetit shihej që kilentët pinin duhan lirshëm, përkundër faktit se janë në dijeni për sanksionet që i ka ky ligj. Këtë ligj disa qytetarë e përgjegjës të lokaleve e kanë mirëpritur, por disa të tjerë jo.
Blend Zhubi, menaxher në njërën nga kafenetë e kryeqytetit, ka thënë se që nga dita e enjte në lokalin që ai e menaxhon ka filluar të zbatohet Ligji i ri mbi Kontrollin e Duhanit dhe se kanë gjetur mjaft mirëkuptim me kilentët që frekuentojnë këtë kafene.
“Ne menjëherë që nga sot (dje), kemi filluar ta zbatojmë ligjin e duhanit. Edhe klientët përmes mediave kanë dëgjuar për ligjin e duhanit dhe e kanë kuptuar që duhani është i ndaluar në ambientet e mbyllura. Edhe pse sot (dje), është dita e parë që kemi filluar me zbatimin e këtij ligji, nuk kemi pasur asnjë problem me klientët tanë”, ka treguar Zhubi, shkruan Zëri.
Edhe Bajram Mustafai, përgjegjës në njërën nga ëmbëltoret e kryeqytetit, ka thënë se edhe Ligjin e mëhershëm për Kontrollin e Duhanit e kanë zbatuar, por edhe ligjin e ri tani që ka hyrë në fuqi që e ndalon 100 për qind pirjen e duhanit në vendet publike. Në anën tjetër Sanie Gërbeshi, qytetare nga Prishtina, është shprehur skeptike nëse ligji do të respektohet.
Edhe Reshati, një qytetar tjetër po nga Prishtina, i cili nuk është duhanpirës e ka mirëpritur këtë ligj. Shkelzen Jusufi, menaxher në një restorant në kryeqytet, thotë se mungon vetëdijesimi i qytetarëve dhe në këtë mënyrë, nuk duhet të pësojë biznesi, por ai që konsumon duhanin.
Ndërkaq, në njërin prej lokaleve në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, shihej qartë që duhani pihej lirshëm. Menaxheri i këtij lokali, i cili nuk deshi të prezantohej, ka thënë se ende nuk ka filluar të zbatohet ligji në lokalin ku ai menaxhon. Sipas tij, që nga dita e premte, pra sot, do të fillojë të zbatohet Ligji mbi Kontrollin e Duhanit edhe në këtë lokal.
E përderisa në disa lokale të kryeqytetit është parë që qytetarët lirshëm pinin duhan, krejt të kundërtën e thotë Ibrahim Tershnjaku, shef i Inspektoratit Sanitar të Kosovës. “Për fat të mirë dje nuk kemi hasur në asnjë konsumator dhe në asnjë subjekt i cili nuk po e zbaton ligjin e duhanit. Është për t’u befasuar qysh subjektet afariste dhe të gjithë qytetarët e kanë marrë me kaq seriozitet punën e ligjit të duhanit”, ka thënë ai. /Indeksonline/