Lija e majmunit, Gjermania përgatitet për masa kontrolli, Ministri i Shëndetësisë: Duhet të reagojmë shpejt

Pas konfirmimit të rasteve të para të infeksionit me linë e majmunit, Gjermania po përgatit masa kontrolli për të frenuar përhapjen masive të virusit. Lajmi u bë me dije nga Ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, i cili bëri me dije se rekomandimet për izolim dhe karantinim janë duke u përgatitur në bashkëpunim me Institutin Robert Koch.
Po ashtu ai u shpreh se po shqyrtohet nëse mes rekomandimeve do të jetë edhe vaksinimi për personat më të rrezikuar. Megjithatë ai theksoi se nuk po diskutohet një vaksinim i përgjithshëm i popullatës. Sipas Koch është e rëndësishme të reagohet fort dhe shpejt.
Shpërthimi i këtij virusi, i zakonshëm në pjesët e largëta të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, u identifikua për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas filloi të zbulohej në të gjithë Evropën, në Spanjë, Portugali, Gjermani, Belgjikë, Francë, Holandë, Itali dhe Suedi, ndërsa edhe Austria dhe Zvicra kanë konfirmuar praninë e virusit.
Megjithëse nuk ka një vaksinë specifike për linë e majmunëve, disa vende kanë thënë se po grumbullojnë vaksina kundër lisë, të cilat janë rreth 85% efektive në parandalimin e infeksionit, sepse të dy viruset janë mjaft të ngjashëm./ Pledgetimes
/rtsh.al/