E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika: Arbitër i huaj për ndeshjen me Skënderbeun

TIRANE- Është java e Skënderbeu-Tirana, një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit dhe që mund të vendosë shumë sa i përket garës për titullin kampion. Ditën e shtunë, në orën 19.00, në Korçë, do të përballen dy skuadrat kryesuese të Superligës, ndërkohë që nga një sfidë e tillë mund të përfitojë Teuta, e cila do të luajë në kryeqytet kundër Dinamos thuajse të rënë nga kategoria. Skënderbeu është një ekip i frikshëm në fushën e tij, por përballë skuadrave të mëdha korçarët kanë gabuar shpesh këtë sezon. Në krahun tjetër, Tirana i beson eksperiencës së saj, pasi bardheblutë janë shfaqur një skuadër shumë e fortë në ndeshjet në transfertë, ndërsa për këtë javë, trajnerit Rubio Sançez i kthehen edhe disa lojtarë të rëndësishëm. “Barazimi nuk na bën punë në Korçë, - deklaroi dje portieri Iljon Lika. – Nëse nuk fitojmë, atëherë është Teuta që shkëputet, kështu që duhet vetëm të fitojmë”, shton ai. 

Sipas portierit bardheblu, një disfatë kundër korçarëve mund ta nxjerrë Tiranën jashtë luftës për titull. Ndërkohë, ai shpreson që kjo ndeshje të ketë një gjykim sa më të drejtë, ndoshta me një arbitër të huaj. “Në rast se humbasim ndaj Skënderbeut, me shumë gjasa jemi jashtë garës për titullin kampion, - shprehet ish-portieri i kombëtares. – Është një ndeshje shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat dhe për mendimin tim do të ishte mirë që ta drejtonte një arbitër i huaj. Gjithsesi, shpresojmë që edhe ai që do të jetë, të mbajë sa më drejtë, pasi është një ndeshje nga e cila varet i gjithë sezoni”, shtoi Iljon Lika. Ndërkohë, në Federatën Shqiptare të Futbollit deklarojnë se arbitri i sfidës do të jetë shqiptar. “Nuk ka ende një kërkesë zyrtare, kështu që nuk do të jetë gjyqtar i huaj, por një shqiptar”, konfirmoi për Gazetën shefi i Sektorit të Garave Ilir Shulku. Ndërsa Tirana shpreson në një gjykim të drejtë, në Korçë, trajneri Stanislav Levi, ka shpallur sërish heshtjen për shtyp për ekipin e tij. Një metodë për t’i ruajtur futbollistët nga euforia dhe emocionet përpara një sfide të tillë, por që në fakt, duket se ka mërzitur jo pak tifozët. Heshtja për shtyp e korçarëve është kthyer në një modë kohët e fundit, teksa, mediat detyrohen që të dëgjojnë vetëm trajnerin një ditë përpara ndeshjes. Gjithsesi, sfida e së shtunës duket se ka nisur që tani të mbajë në ankth tifozët e Skënderbeut, të vetëdijshëm se një humbje mund t’i nxjerrë jashtë betejës për titullin kampion.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›