E Diel, 1 Nëntor 2026

‘Mandati i Seserit’, Islami: Konsensus PD-PS që çështja të zgjidhet

TIRANË- PD dhe PS bien dakord për zgjidhjen e cçshtjes së mandatit të lënë bosh nga deputetja socialiste Rudina Seseri. Cështja ka ngjallur debate të forta mes palëve por duhet se në mbledhje e sotme të Këshillit të Rregullores është arritur konsensus që çështja të zgjidhet në Kuvend.

Mbledhja nisi në orën 12:00, ndërsa kryeparlamentarja ka deklaruar t’i propozohet Parlamentit dorëheqja e Gjon Bardhit, i cili nuk pranoi të zëvendësojë postin e ish-deputetes Seseri, duke mbajtur aktualisht kreun e Bashkisë së Fushë-Krujës.

Mbledhja është shoqëruar me akuza të ndërsjellta mes PD-PS për zëvendësimin e Rudina Seserit, por në fund mësohet se PD e PS kanë rënë dakord të hartojnë një raport të përbashkët që do të paraqitet nesër në Parlament. 

Raporti është hartuar nga Viktor Gumi e Damian Gjiknuri, të cilët i janë referuar nenit 71 të Kushtetutës për hartimin e tij. Pas votimit nesër në Kuvend, ky raport do t’i paraqitet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

ISLAMI: KONSENSUS PD-PS
Në përfundim të kësaj mbledhje, përfaqësuesi i PS-së Kastriot Islami ka deklaruar se mes palëve është rënë dakort të gjendet sa më parë një zgjidhje.

“Patëm konsensus që mandati i takon PS, sens të përbashkët që të mos ketë zvarrtje të cështjes që të prishet konsensusi i integrimit.Ramë dakort që për këtë cështje të gjendet një zgjidhje në Kuvend e më pas t’i kalojë për interpretim KQZ”, tha Islami. 

Islami deklaroi se rasti i Gjon Bardhit që tani ka dy mandate, duhet të mos përsëritet më, ndërsa duhet të gjendet mënyra që emri i një kandidati të hiqet nga lista për deputet kur garon për një post tjetër sic është edhe rasti i Bardhit.

“Debati u zhvillua mbi një terren specifik, nisur nga fakti që ka dy vendime për të njëjtin person që ka dy mandate, pavarësisht se mbajtësi ka paraqitur dorëheqjen në KQZ. Kjo është një situatë që s’përputhet me situatën, u vendos që cështja të zgjidhet në seancë plenare, me sens të përbashkët, pastaj KQZ do japë interpretimin. Pra do kërkohet të hiqet nga lista e deputetit cdo kandidat që konkurron për post tjetër. Këtë boshllëk duhet ta detajojë KQZ”, shtoi ai.

DEBATET
Partia Socialiste ka mbetur me një deputet më pak, që prej dhjetorit të vitit të shkuar. Pas dorëheqjes së deputetes së qarkut të Durrësit, Rudina Seseri, Kuvendi ende nuk ka zëvendësuar këtë vend me pasardhësin e saj në listë, i cili duhet të ishte në fakt Gjon Bardhi.

Partia Socialiste ka refuzuar emrin e Gjon Bardhit si pasues të Rudina Seserit duke qenë se aktualisht ai ushtron postin e kreut aktual të Bashkisë së Fushë Krujës, duke kërkuar që mandati ti kalojë Edison Konomit. Kundërshtimi nga mazhoranca dhe deklarata e saj se do ta cojë cështjen për interpretim në Gjykatë Kushtetuese, ka ngjallur reagimin e opozitës, sipas së cilës të djathtët kërkojnë të mbanë peng mandatin që i takon asaj me ligj.

Në mbledhjen e 13 janarit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e mandatoi me shumicë votash kryebashkiakun e Fushë Krujës si deputetin më të ri të Partisë Socialiste. Pas refuzimit të këtij të fundit KQZ vendosi që kjo çështje t’i kalojë Kuvendit, që është organi kompetent për mandatet e deputetëve.
(el.me/ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›