E Diel, 1 Nëntor 2026

Ezaurohen vendet në Tufinë, Panariti: Gati projekti për varrezat murale

TIRANE- Situatë alarmante në varrezat publike të kryeqytetit. Pas mbylljes së varrezës së Sharrës në 7 shtator të 2010-ës, me një urdhër të kryebashkiakut të asaj kohe pasi ishin ezauruar vendet për varre të reja, drejt 'kyçjes' po shkon edhe varreza e Tufinës. Kjo gjendje alarmante është pranuar edhe nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti, i cili ka thënë se sektori i funeraleve ndodhet në asfiksi të plotë. Por zgjidhja e vetme për Bashkinë e Tiranës mbeten varrezat murale. "Duke parë situatën është e domosdoshme që ne të ndërmarrim një reformë e cila do të përqasë standarde të cilat ekzistojnë në vendet e BE, por në radhë të parë dhe ajo çka është më e rëndësishme, kërkon dhe konsensus e mbështetje popullore, pasi është diçka e re. Bëhet fjalë për të futur disa elementë, siç janë elementët e varrezave murale. Duhet të theksojmë edhe njëherë, se sistemi i ri i varrezave jo vetëm që nuk cënon dinjitetin, kujtimin e personit të larguar nga jeta, por e rifaktorizon në një dimension akoma më dinjitoz", - ka bërë të ditur Panariti.

Sipas tij, nisja e procesit të varrezave murale do të nisë pikërisht me 105 varrezat e familjarëve të ushtarëve italianë që kanë vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilat ndodhen në Sharrë. "Nga Ambasada Italiane kemi gjetur mbështetjen e plotë, që ata të kalojnë tashmë nga varret standard në varreza murale. Projekti pritet të nisë shumë shpejt dhe ky do të përdoret edhe si shembull për t'ua paraqitur qytetarëve dhe komuniteteve fetare",- ka theksuar Panariti. Sipas tij, bashkia do të organizojë disa takime dhe seminare me përfaqësues të komunitetit, me përfaqësues të bashkësive fetare, pasi askush nuk do iu imponojë asgjë. "Ngritja e varrezave murale mendohet të fillojë me varret e vjetra, varre të cilat janë mbi 40-vjeçare, ku praktikisht edhe gjendja e tyre është jo e mirë, nuk duken as gjurmët grafike të emrave të personave të ndarë nga jeta, tashmë prej dhjetëra vjeçarësh. Këto varre, natyrisht ne do i rifaktorizojmë duke i vendosur tashmë në pozicion vertikal. Sipas të dhënave ne mendojmë se vetëm duke vendosur varret e vjetra në varrezat murale përfitojmë një hapësirë shumë të madhe toke, rreth gjysmën e sipërfaqes që kanë dy varrezat publike",- ka theksuar nënkryetari i bashkisë, Edmond Panariti.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›