Lika Janko: Piktorja shqiptare që e quanin Pikaso me fustan
Historia e artistes me origjinë shqiptare, familja e së cilës kishte emigruar drejt Bullgarisë në vitet 20 të shek. XX. Lika Janko nuk erdhi kurrë në Shqipëri, ndërsa në Bullgari ekspozitat e saj u mbyllën, sepse cilësoheshin moderniste. Ka vdekur 11 vjet më parë, më 2001
Abdurrahim Myftiu
… Një nga arsyet e ardhjes në Sofje në muajin nëntor 2010 ishte edhe se pata kënduar në internet që, deri më 21 nëntor, do të qëndronte e hapur një ekspozitë e dy piktorëve, prej të cilëve njëra qe grua me origjinë shqiptare. Për Lika Jankon pata mësuar vetëm në vitin 2001, kur shtypi bullgar njoftoi për vdekjen e saj dhe shkroi për të. Më patën tërhequr vëmendjen disa hollësi: së pari, Lika ishte nga familje shqiptare e ardhur në Sofje në vitet 20 të shek. XX nga Shqipëria; së dyti, mbas shkollës, jeta artistike e saj kishte kaluar nëpër kalvarin e dramës së antikonformizmit me kanonet ideoartistike realsocialiste të periudhës së totalitarizmit, kur edhe i qe ndaluar të ekspozonte në publik; së treti, Lika ishte mbyllur në studion e saj, kishte vijuar të krijonte dhe ishte bërë e njohur mjaft ndër të huajt, të cilët ia blinin me kënaqësi punimet. Para vitit 2001 nuk pata dëgjuar për të as në Shqipëri, edhe pse ishte me prindër shqiptarë. Në Shqipëri pati ardhur në vitet 70 edhe Ibrahim Kodra, si piktor i shquar natyrisht, edhe pse i rrymave artistike që tek ne anatemoheshin me krismë të madhe. Por Lika Jankos nuk ia kisha dëgjuar as emrin, e jo më të vinte në Shqipëri. Dhe psenë ma sqaroi një miku im, me të cilin kisha ardhur në Sofje atë nëntor, për punën e botimit të një libri, e që e njihte bukur mirë vendin. E lamë të dy që në ekspozitë të shkonim në mesditë, sepse ashtu na vinte për mbarë. Takimin e punës për librin në fjalë e kishim lënë për orën 12.00, në qendër të Sofjes, në rrugën Dondúkov, pak më poshtë ndërtesës impozante të Shtëpisë së Partisë të dikurshme, pra të KQ të PKB, e ku sot ndodhen zyrat e Kuvendit Popullor (bullgarët ende e quajnë Popullor). Shoku im hyri, kurse unë qëndrova jashtë, për një arsye thjesht emocionale: pikërisht në atë vend, ku tani ndodhej kjo godinë e lartë e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, 100 vjet më parë, më 1909-1910, ka qenë vendosur në katin e parë të godinës së atëhershme shtypshkronja Mbrothësia e veprimtarëve të Rilindjes Shqiptare Kristo Luarasi dhe Kostë Jani Trebicka. Këtu, në bulevardin e atëhershëm Dondúkov, Nr. 38, ajo vinte nga rruga Vítosha, ku ishte instaluar në fillim në një haur. Më vonë, pas një farë kohe në Selanik, Mbrothësia do të kthehej në Sofje, në rrugën Car Simeón 60, ku vijoi punën në vitet 1911-1916. Godinës së Mbrothësisë, afërmendsh, nuk i kishte mbetur kurrfarë nishani, e po ashtu as numri nuk është më 38; por, megjithatë, falë një zakoni tim për të vizituar vendet e dikurshme, ku kanë jetuar e punuar ose janë mbledhur bashkë rilindas shqiptarë të Sofjes, mu dha të ndalesha në trotuar e të përjetoja një emocion të thellë për disa çaste, edhe pse duke shijuar vetëm atmosferën. Si mbaruam punë në Dondúkov, në vend që të drejtoheshim për te Galeria e Arteve e qytetit të Sofjes, të cilën e dija fare mirë ku ndodhej, këmbët më çuan te ndërtesa e Galerisë Kombëtare të Arteve Figurative, e cila, dikur Pallat Mbretëror, qëndron impozante për së gjati në sheshin me plloça të verdha, në krah të Kuvendit Popullor. I drejtohem banakut në cepin e majtë të hollit, ku në kompjuter po punonte një grua e hijshme. E pyes në çsallë është ekspozita e Lika Jankos, por ajo ma kthen me buzëqeshje: – E keni ngatërruar, zotni. Lika dhe Génko janë te Galeria e qytetit. Ja, përballë, pranë Grand Hotel Sofjes, matanë parkut. Dhe atbotë shton: – A mos je shqiptar? Po, – i them, dhe i kërkoj falje për hutesën time. Kalojmë te vijat e bardha në anën tjetër, i biem mes për mes lulishtes me emrin Parku i Qytetit (Grádska Gradína) dhe i afrohemi hyrjes së galerisë së duhur, e cila nga jashtë ka pamjen e një kapanoni të madh njëkatësh. Më në fund hyj në sallën e ekspozitës: një sallë e madhe me dritë të ngrohtë në të majtë janë pikturat e Likës, në të djathtë ato të Génkos, një piktori tjetër, bashkëkohës të saj. Sapo u hedh të dy krahëve një vështrim të përciptë, ndjej dallimin: Lika zbardh, Génkoja skuq; Lika është me peizazhe përsiatëse, Gènkoja gjithë peizazhe me ngjyra të ndezura; Lika duket sikur buron nga një traditë popullore ikonografike e lashtë dhe moderne njëkohësisht; Génkoja të bombardon me ngjyra, pa u bërë merak për harmoninë e jashtme, por, me sa duket, për dis-harmoninë e brendshme. Vetëkuptohet, ndalem më gjatë në krahun e majtë të sallës, aty ku është Lika, për të cilën edhe kam ardhur në këtë ekspozitë. I hedh një vështrim tjetër dhe shoh se, në të vërtetë, brenda saj si piktore gjëllijnë pasione të ndryshme koloristike, jetësore, mendimi. Nuk është vetëm bardhësia, edhe pse ajo mbizotëron; janë edhe nuanca të tjera, me sa duket simbas periudhave të krijimtarisë. Ndryshe, për shembull, janë një sërë pikturash, ku ndjehet pasioni për malet Rodope dhe fshatrat e asaj zone, ndryshe për ato ku ndjehet më fort simbolika se kontakti me natyrën e gjallë, e sidomos ndryshe një grup të tretë tabloshë, ku spikat meditimi për veten, zhytja në tallazet e nënvetëdijës, të vegimeve religjioze, largimi thuajse total nga perceptimi i natyrës si natyrë, dhe qëndrimi te pikëvështrime ikonografike. Ndalem gjatë te peizazhet e Rodopeve e të skelave me peshkatarë. Një peizazh në vaj, i viteve 1950, më ngjan si rrugë fshati Shqipërie: me shtëpi me çardakë druri; me vargje duhani të varur në muret me faqe nga rruga, për tu tharë; me gomerë, që zbresin tatëpjetë të ngarkuar; me fshatarë, që enden apo rrinë ndenjur në sofate e që mbajnë veshur kostume popullore; madje edhe me ndonjë grua me çarçaf, grua myslimane pomake e Rodopeve, natyrisht. Në një tjetër peizazh Rodopesh më bien në sy pullazet me ngjyra të ndryshme të shtëpive në shpinë të njëra-tjetrës. Në tablo të tjera, në vaj, me Rodopet gjëllin folklori, etnografia, sidomos në portrete fshataresh me shami kokë të qëndisur, me fustane me lule. Bashkë me folklorin ndjehet një farë mistike, që është mistika e maleve, ku mbizotëron nuanca kobalt për qiejt dhe ultramarin për drurët. Këtu ngjyra, pa qenë naturaliste, është e gjallë. Me thënë të drejtën, këto më pëlqejnë më shumë, tek to qëndroj më gjatë. Më tej shoh se gama e ngjyrave të gjalla ua lëshon vendin nuancave kafé e maví, një gamë më të shqetësuar, kurse figurat bëhen më gjeometrike, hapësira rreth tyre bëhet më e dystë, dalëngadalë e bardha mbizotëron tek veprat që pasojnë. Emërues i përbashkët është largimi nga natyra, eksperimentimi me hapësira të mëdha të sheshta e të bardha, ku, për shembull, autoportreti përfundon në dy gjurmë pëllëmbësh mbi hapësirën. Janë disa autoportrete, tek të cilat ndalem më shumë, ashtu si tek tufa e pikturave për Rodopet. Këtu mbizotëron simbolika gjysma e fytyrës së saj është në kafaz, dhe kafazi dihet që simbolizon ndalimin. Kafazi, telat, rrjetat këtu shfaqen si gjuhë lakonike e pikturës, deri në një primitivitet linjash vizatimi fëminor. Vijnë një radhë pikturash, ku motivet biblike, me peshqit, me madonën etj. përsëri ngjyhen me etnografi, me folklor, sado që stili është abstraksionist, me ikonën si mbështetje mendimi, me ndonjë motiv floreal, me mistikë, kësaj here të detit, të mendimit ikonografik…Tek dal nga salla, i afrohem në hyrje stendës së botimeve për artet figurative. Kërkoj një monografi për Lika Jankon, e cila është botuar në vitin 2000, me autor studiuesin e njohur Prof. Dimítër Avrámov. Për fat të keq nuk ka asnjë kopje. Ejani nesër, më thotë djaloshi mbas banakut, do të kërkoj një kopje për ju si shqiptar. E