E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limaj inspekton punimet në autostradë

Ministri i Transportit dhe i Postë-Telekomunikacionit (MTPT), Fatmir Limaj, është shprehur i kënaqur me dinamikën e punimeve për ndërtimin e autostradës Morinë –Merdar.

Ai ka paralajmëruar se inspektime të tilla të këtyre punimeve do të ketë edhe më shpesh në të ardhmen.

Limaj, këto komente, i bëri të shtunën me rastin e inspektimit të punimeve për ndërtimin e projektit madhor të autostradës Morinë - Merdar, të cilat kanë nisur zyrtarisht në fund të muajit të kaluar.

“Sot jemi në vizitën e parë për të parë zhvillimet si po shkojnë në vend punimet për fillimin e ndërtimit të autostradës. Kjo është hera e parë, por ne do të zhvillojmë tash e tutje vizita më të shpeshta për të përcjellë hap pas hapi dinamikën e punimeve”, ka thënë ministri Limaj.

Punimet për ndërtimin e autostradës është duke i bërë konsorciumi turko-amerikan “Bechtel and Enka”. Ministri Limaj ka thënë se është fat që ky projekt po realizohet nga kjo kompani serioze dhe profesionale.

Limaj nuk ka dashur të komentojë kontrollimin e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës në Aeroportin e Prishtinës nga ana e Policisë së EULEX-it, ndërsa ka shprehur edhe njëherë gatishmëri për bashkëpunim rreth hetimeve që po zhvillon misioni EULEX. (KosovaPress)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›