E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ultimatum ilegalëve

Operatorët ilegalë në territorin e Kosovës i kanë ditët e numëruara. Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit të Kosovës ka filluar fazën e dytë për heqjen e antenave të këtyre operatorëve në Kosovë, pasi që muajin e kaluar kishte hequr 14 sosh.

Kreu i ART-së, Ekrem Hoxha i ka dërguar letër kryetarit të Komunës së Graçanicës, Shtërpcës, Leposaviqit, Prizrenit dhe Pejës duke u dhënë afat 30 ditë për heqjen e këtyre antenave nga territoret e tyre.

Gjithashtu, i ka njoftuar operatorët e telefonisë mobile, Telekom Serbia, Telenores dhe VIP me qendër në Serbi se antenat e tyre pas këtij afati nuk do të jenë funksionale në Kosovë.

“Të martën u kam dërguar letër 5 komunave dhe i kam njoftuar operatorët në Serbi se antenat e të cilëve po operojnë ilegalisht në Kosovë do të shkyçen”, ka pohuar Hoxha.
Ai thotë se ndryshe nga hera e parë, kur më 23 prill, në një aksion bashkë me policinë e Kosovës, ART-ja kishte hequr 14 antena të operatorëve ilegalë, kjo fazë parasheh heqjen vullnetare nga vetë operatorët.

Megjithatë, nëse nuk respektohet afati, Hoxha thotë se përsëri do të dalin në aksion dhe të gjitha antenat e tilla do të hiqen me forcë.

Ndërkaq, disa nga kryetarët e komunave që kanë pranuar këtë letër ndihen të pafuqishëm për të marrë masa në këtë drejtim.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, thotë se do të përballen me presione dhe rezistencë të pronarëve që i kanë vendosur antenat, si dhe banorëve lokalë.
Ai thotë se në këtë qytet janë tri antena të vendosura kryesisht mbi ndërtesa të larta të banimit kolektiv dhe pronarët e banesave përfitojnë nga 10 euro në muaj.

“Ne frikohemi se do të hasim në rezistencë nga banorët që banojnë në ato ndërtesa. Nga pronarët do të kemi rezistencë gjithashtu”, thekson Muja.

Për këtë ai mendon se më mirë do të ishte që niveli qendror sikur në fazën e parë kur pati intervenuar pa paralajmërim për heqjen e antenave ilegale, të veprojë edhe kësaj here.
“Nuk kam mundësi me dalë nëpër qytet me i numru ato antena. Ne kemi gatishmëri me i hjekë, nëse ekziston vullneti dhe përkrahja e nivelit qendror”, pohon Muja.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq, thotë se nuk ka informacion sa është numri i antenave ilegale në këtë komunë. Megjithatë, është i gatshëm të respektoi vendimet e ART-së. Por, paraprakisht Stojanoviq, pohon se do të mbajë mbledhje në kuvendin komunal për të analizuar në detaje kërkesën për heqjen e antenave.

Sipas tij, në këtë komunë herën e parë janë hequr tri antena ndërkaq në opinion flitet se këtu është i vendosur numri më i madh i antenave ilegale të operatorëve serbë.

Që në fillim të punës së bordit të ri, ishte shqyrtuar veprimi ilegal i operatorëve 064 dhe 063 si dhe mundësia e largimit te tyre, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri në muajin e kaluar. Pas aksionit të parë, ART-ja rikujton ndërmarrjet, grupet ose individët të cilët direkt ose indirekt janë të përfshirë në ushtrimin dhe ofrimin e shërbimeve telekomunikuese të palicencuara dhe të paautorizuara se nuk do të tolerohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe se do të përballen me fuqinë e ligjit dhe rendit juridik të shtetit të Republikës së Kosovës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›