E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limaj veç deputet

Nënkryetari i PDK’së, Fatmir Limaj nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re për shkak të hetimeve të EULEX’it në Ministrinë e Transportit. Duke përmendur kërkesat ndërkombëtare për “Qeveri të pastër”, ai tha se nuk dëshiron t’i bëhet barrë Kosovës. Por, Limaj do të votojë publikisht për Qeverinë Thaçi. Nga Faton Ismajli më 22 shkurt 2011 në ora 08:58

Deputeti i dytë më i votuar i PDK’së dhe i treti në nivel vendi, Fatmir Limaj, ka vendosur të respektojë thirrjet e diplomacisë ndërkombëtare që në qeverinë e re të mos ketë zyrtarë që në çfarëdo mënyre janë pjesë e hetimeve.

Ministria e Transportit të cilën Limaj e ka drejtuar gjatë mandatit të kaluar, është bastisur para rreth dhjetë muajsh nga EULEX’i, por ai vetë asnjëherë nuk është marrë në pyetje dhe nuk ka aktakuzë të ngritur ndaj tij.

“Derisa po zhvillohen hetime ndaj MTPT-së, nuk do të jem pjesë e kabinetit të Qeverisë. Besoj se kriteret që janë kërkuar për institucionet e Kosovës duhet të plotësohen”, ka thënë Limaj, në një konferencë për shtyp, të hënën, në Parlamentin e Kosovës.

“Është bërë thirrje që të ketë Qeveri të pastër. Ju e dini se unë kam qenë më i përfoluri. Duke konsideruar se mbi të gjitha është Kosova, duke ofruar mundësi që vendi të ecë kah integrimet euroatlantike, nuk jam dhe nuk dua të jem barrë për vendin tim”, ka thënë ai.

Nënkryetari i PDK’së ka kërkuar që “vijat e kuqe” të cilat ai ka vendosur t’i respektojë, të vlejnë për të gjithë pushtetarët.

“Shpresoj që ky kriter dhe ky standard që ne po e vëmë sot të jetë për të gjithë, shpresoj që kjo nuk do të përdoret në mënyrë selektive”, ka thënë Limaj.

Ai ka theksuar se do të vazhdojë aktivitetin politik si deputet si dhe do të jetë në dispozicion të drejtësisë për të mbyllur rastin. Ai, po ashtu ka shprehur besimin se drejtësia do të konfirmojë se Ministria e Transportit ka qenë ministria më e suksesshme, më e pastër dhe më profesionale e Qeverisë.
Limaj ka mohuar të ketë pasur presione nga ambasada perëndimore për të mos qenë pjesë e Qeverisë, duke thënë se vendimin për të mbetur jashtë ekzekutivit e ka marrë vullnetarisht, sepse ndien përgjegjësi para votuesve të vet.

“Me vullnetin tim për shkak se jam njeri i përgjegjshëm për faktin që jemi duke ndërtuar një kabinet të ri dhe ju e dini që vendin mua ma kanë dhënë qytetarët e Kosovës, janë 75 mijë vota. Unë dua që vendi i im të ecë përpara dhe në asnjë mënyrë, në asnjë mënyrë të shikohet si pengesë për ndërtimin e institucioneve, por përsëri po e them që ky standard të respektohet nga të gjithë”, ka thënë ai.

Limaj ka deklaruar se ai do të përkrahë Qeverinë e re të Kosovës dhe për të demantuar të gjitha spekulimet se ai është i pakënaqur me kolegët e vet partiakë, ai paralajmëroi se vota e tij për koalicionin të cilin e ka formuar Hashim Thaçi, do të jetë publike.

“Unë për dallim nga të tjerët, do ta bëj publike votën time për koalicionin e ri. Unë do ta votoj Qeverinë Thaçi edhe nëse ka në përbërje njerëz të ish-shërbimit sekret, UDB”, ka thënë Limaj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›