Dita B
Pas një maratone të gjatë zgjedhore, Kosova më në fund ka konstituuar Kuvendin e ri.
Deputetë të rinj të partive të ndryshme që hynë të hënën për herë të parë në ambientet e Parlamentit kishin harxhuar mjaft kohë për t’u dukur sa më bukur para kamerave.
Disa deputetë “të vjetër” u ndalën në holl për t’i uruar kolegët e tjerë të tyre, ndërsa “të rinjtë” hynë menjëherë në sallën e mbledhjeve dhe zunë karriget për të mos u çuar nga to deri në mbarimin e seancës.
Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, deputetja më e vjetër, Flora Brovina e PDK’së, bashkë me deputeten më të re, Biserka Kostiq në SLS, kanë udhëhequr mbledhjen deri në zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Në këtë mbledhje u bë betimi i deputetëve dhe kjo u bë nga 118 deputetët e pranishëm në seancë.
Pas verifikimit të mandateve, deputetët votuan për kandidatin e vetëm për kryetar të Kuvendit, i propozuar nga PDK’ja, që ka grupin më të madh parlamentar.
Jakup Krasniqi u rizgjodh kryetar i Kuvendit.
Mungesa e përvojës së Brovinës dhe Kostiqit për udhëheqje të seancës detyroi deputetët që të votojnë tri herë për t’u konfirmuar numri i votave për Jakup Krasniqin.
Ai mori përkrahje nga 90 deputetë, 17 votuan kundër, ndërsa 3 abstenuan.
Për Krasniqin votuan edhe deputetë opozitarë nga LDK’ja e AAK’ja. Ndërsa kundër tij votuan deputetja serbe, Rada Trajkovic, Arben Gashi e Naser Osmani të LDK’së dhe të gjithë deputetët e Vetëvendosjes.
Pastaj u zgjodhën pesë nënkryetarë të Kuvendit, Xhavit Haliti – PDK, Sabri Hamiti – LDK, Glauk Konjufca – Vetëvendosje, Petar Miletic – SLS dhe Enis Kerman – KDTP.
Gjatë procedimit, deputetja serbe, Rada Trajkovic kërkoi të merrte fjalën, por në përputhje me Rregulloren e punës së Kuvendit, Brovina sqaroi se në bazë të rregullores deputetja minoritare nuk mund të flasë.
Kryetari i ri, Jakup Krasniqi falënderoi deputetët për besimin dhe premtoi se do të punojë në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.
Djali i ish-Presidentit Ibrahim Rugova, Uka, i mbetur i vetëm pas ndarjes me AAK’në, kishte zgjedhur që të ulej te deputetët e Koalicionit të AKR’së.
Uka është ulur pranë Behgjet Pacollit, kandidatit të vetëm për President të vendit.
Ky i fundit, para se të niste seanca, shtrëngoi duart me shumë deputetë. Pacolli pati dëshirë të përshëndetët edhe me deputetët e Albin Kurtit, por u injorua nga ta.
Edhe deputetja Rada Trajkovic ishte e interesuar të shtrëngojë duart me deputetët e Vetëvendosjes. Ajo ua zgjati dorën atyre, por të gjithë e injoruan duke mos i folur fare.
Në seancën konstituive të Kuvendit ishin të pranishëm shumë mysafirë.
Ndër ta Pieter Feith, shef i ICO’së, komandanti i KFOR’it, gjenerali Erhard Buhler, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek, ambasadori i SHBA’së në Prishtinë, Chripher Dell dhe diplomatë të tjerë.
Policia speciale në Kuvend!
Bufeja e Kuvendit të hënën ishte shndërruar në stacion mobil për Policinë Speciale të Kosovës.
Shumë policë të Njësisë Speciale kishin hyrë aty para fillimit të seancës dhe rrinin në gjendje gatishmërie, nëse ndërhyrja e tyre ishte e nevojshme.
Jozyrtarisht, Expressi ka mësuar nga zyrtarë të Kuvendit se policia ishte aty, ngase ditëve të fundit kanë qarkulluar informacione të ndryshme se deputetët e Vetëvendosjes mund të bënin ndonjë protestë apo “probleme” të tjera në ambientet e Parlamentit.
Me t’u betuar deputetët, policët filluan të largohen nga Parlamenti.