Lind TV “Shiu
Pakkujt do i kishte vajtur ndërmend se në këtë kohë të vështirë moti, ku mijëra banorë janë në hall të madh për të lënë banesat e për t’u strehuar gjetkë, për të mbijetuar sa më me pak dëme në betejën me ujin, e dikush do të gjente mundësi, kohë dhe dëshirë për të ngritur televizionin më të lagësht të fjalës në Shqipëri TV “Shiun”. Ky ekran i ngritur me një emergjencë të madhe opozitare ndërron drejtues lajmesh shpesh, por themelues asnjëherë, duke ia përafruar metodologjinë e së keqes shembullit të madh që vdes themeluesi, por jo produkti. Kam gjithashtu përshtypjen se Hitleri, Stalini, e modele të ngjashme të çmendurisë njerëzore që janë ushqyer me miliona viktima e kanë mbajtur gjallë masakrën e tyre nazisto-komuniste, duke u bazuar në përdorjen e pazakonte të shtypit krejt pa mision në funksion të tyre. Edi Rama është pasuesi negativ i shembujve, me sloganin e vjedhur prej tyre përtej së majtës e së djathtës dhe na çon te rrëmbimi për çdo ngjarje, që të përpiqet si përfitues nga grumbuj fatkeqësish, qofshin njerëzore apo natyrore. Kjo e ka ngutur atë të themelojë në minuta rekord TV “Shiun” dhe të përdorë për hesap krejt individual ekranin dhe produktin që del nga ai, për të rritur menjëherë prurjet e reshjeve, sasinë e përmbytjeve dhe largqoftë për të pritur dhe ndonjë viktimë nga moti, ashtu si me keqardhje mësojmë se ka ngjarë në shtete të Perëndimit po për arsye moti. Në tre televizione të paktën në Tiranë, ekranet e të cilëve shihen shpesh dhe në zonën e përmbytur në Shkodër, ngjyrimet e lajmeve janë tejet negative dhe shifrat gjithnjë interpretohen për të bërë të ditur se çfarë do të ndodhte sikur të shtoheshin kaq metra në Fierzë, Koman, apo Vaun e Dejës? Çfarë do të ndodhte thotë një tjetër “specialist” në një nga ekranet që bulëzojnë dashuri me selinë e PS-së, sikur të shembej diga këtu apo aty?! Këto fjali politike të ekspertëve të kontraktuar, apo fjali ekspertësh të politikanëve e rrisin çorbën aq shumë sa qytetarët shkrepin telekomandën për të parë vetëm TV “Shiun”. Dhe duke zbatuar dobët hera-herës dhe me pa dëshirë porositë e partisë shkërmoqin televizionet, duke i lagur sa duhen vite për t’i tharë thonë lajme që nuk përputhen me reagimet e banorëve dhe pamjet që ilustrojnë kronikat e shumta. Rrëmuja për të bërë rrëmujë fillon me zë të lartë, Shkodra u bllokua, u izolua e tëra, gazetarë korrespondentë, të dërguar nga Tirana, gjejnë madje dhe puseta e hyjnë brenda për të rritur ato pak sekonda që shfaqen thellësinë e ujërave që kanë përmbytur Nënshkodrën. Shkarkimet e Fierzës kanë shembur urën, bllokohet dhe Tropoja, e më tej shohim vërtet një gropë në rrugë dhe makina duke kaluar më pas që rrëzojnë “bllokimin” e madh. Rama i detyruar nga moti shkon në Shkodër dhe sigurisht ofron mbështetje, pasi një ditë më parë në një konferencë shtypi foli 90 për qind të kohës për llogari bankare, ku duhet të derdheshin para që PS të ndihmonte të dëmtuarit. Mirë shumë ka bërë. Më pas duke iu referuar shtypit të huaj që ka përfshirë në edicione gjendjen në Shqipëri deformimet shtohen, a thua jemi në ‘97-ën e mbrapshtë dhe thuhet se Italia ofron ndihma dhe jepet alarmi, ndërkohë që në “Rai Due” këshilltari i Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, që mbërriti në Tiranë dy ditë më parë tha saktësisht të njëjtat gjëra që tha dhe në Tiranë në takimet që pati me autoritetet dhe ekspertët. Tha se gjendja është kritike, por jo dramatike, që siguria në diga është plotë dhe rreziqet nuk ekzistojnë.
Pas një javë pushimesh në vise luksi Rama kthehet mbledh aleatët, që mbërrijnë në selinë e PS-së, kur i thërret e ikin kur ju bërtet për ndonjë tekë boje, si nxënës të shkolle fillore. Vizitoi zonat e përmbytura ku në vend të solidaritetit shau dhe fyeu me gjuhë vrer fshatarët e përmbytur tek Ura e Lahajt, vetëm se e pyetën “ku ishe ti gjer sot” dhe se reaguan kur u tha atyre se ju përmbyti qeveria dhe jo moti. Duke harruar se banorët pavarësisht përkatësisë së votës që e la Ramën aty ku është, nuk janë deputetët që do hyjnë në kalendar si kandidatë, sepse bojkoti lidhet me ekzistencën e kryebashkiakut, Rama e rihumbi qetësinë pas pushimeve dimërore. Në këto ditë emergjence dhe gjendje të jashtëzakonshme për veriun e vendit, Rama zgjodhi të jetë drejtor i Përgjithshëm i TV “Shiut”. Në këtë detyrë ai po mundohet që të bindë të gjithë shqiptarët se po nuk qe Sali Berisha Kryeministër, shiu pushon të shtunën, zonat e përmbytura thahen të dielën, dëmshpërblimet i marrin të hënën, vizat i marrim të martën dhe në BE anëtarësohemi të mërkurën. Zotëria që përmbyti me digën e liqenit dhjetëfishin e popullsisë sa kanë përmbytur gjithë liqenet e vendit në këto ditë, ka harruar se porosia e tij shërbeu për të hapur portën dhe nuk e vrau mendjen të dëmshpërblejë askënd. Nuk kishte aq shi dhe atëherë nuk kishte ngritur median e shiut, që të shpërndante mesazhet e tij. Kundërshtia e ashpër e drejtuesit të opozitës së pjesshme përkoi me shëmbjen e kateve të hotelit të kunatit të deputetit socialist, ndërtuar paligjshmërisht sipas gjykatës. Mos qoftë e vërtetë që dhimbja e Ramës ka pasur referencë më shumë pallatin e shkërmoqur sesa zonën e përmbytur. Natyrisht që prokuroria të hetojë nëse dikush ka një pretendim për shkelje ligji në menaxhim, për veprime apo mosveprime që kanë sjellë pasoja të rënda. Por Ina Rama është më solidare se Edi Rama në këto ditë vështirësish dhe së paku ka një procedurë së cilës i referohet. Media e lagur qoftë televizion, emision, apo gazetë (aq më keq kjo e fundit se kur laget edhe nuk duken germat) nuk ka mundur ta furnizojë me ide të thata kryebashkiakun e Tiranës që nuk ka shtyrë protestat sa të pushojnë reshjet, që nuk ka ofruar si bashkia më e madhe në vend ende asnjë ndihmë, por ka kërkuar nga të tjerët ndihmë e ai ta përcjellë, duke na bindur se di mirë të menaxhojë të ardhura pavarësisht nga ngjyra e monedhës. Në rrjetin mediatik TV “Shiu” familjet më shumë fëmijë ishin personazhe të “braktisjes” nga qeveria dhe mbaheshin në një cep qyteti të “ngujuar” që të parakalonin me radhë para kamerave, e pastaj të shkonin e të merrnin ndihmat që sillte Komiteti Emergjencave i vendosur në Shkodër. Kjo përdorje e keqe e lajmeve, realitetit, trukime të zbehta e montuara pabukur, të shpie në justifikimin reshjeve u qofshim falë. Drejtori i përgjithshëm i rrjetit mediatik TV “Shiu”, po sheh se projekti i tij mediatik për të bërë opozitë dhe me atmosferën po merr ujë dita-ditës.