E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbutet Drini, bie niveli i shkarkimit të HEC-eve

Drini ka nisur të zbutet. Niveli i ujit në kaskadën e Drinit po ulet pak nga pak, pasi dhe prurjet kanë nisur të bien. Rënia e nivelit të prurjeve ka bërë që nga 3 HEC-et, Fierzë, Koman e Vau i Dejës, të ulet niveli i shkarkimit të ujit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, tha dje se situata në kaskadën e Drinit mund të quhet e stabilizuar. I dërguari i Kryeministrit Berluskoni, komisar Roberto Guercio, është nisur dje me helikopter për të inspektuar nga afër HEC-et Fierzë, Koman e Vau i Dejës dhe për të parë nga afër përmbytjet në Shkodër. Ndihma italiane nis të konkretizohet

Drini zbutet, ul nivelin e ujit e kështu bashkë me të ul dhe rrezikun që kanoste banorët e zonës së Shkodrës. Situata duket se është drejt përmirësimit. Rënia e nivelit të prurjeve ka bërë që nga 3 HEC-et, Fierzë, Koman e Vau i Dejës, të ulet niveli i shkarkimit të ujit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, tha dje se situata në kaskadën e Drinit mund të quhet e stabilizuar. I dërguari i Kryeministrit Berluskoni, komisar Roberto Guercio, është nisur dje me helikopter për të inspektuar nga afër HEC-et Fierzë, Koman e Vau i Dejës dhe për të parë nga afër përmbytjet në Shkodër. Ndihma italiane nis të konkretizohet. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në një dalje publike dje në mesditë, ka dhënë treguesit e fundit mbi gjendjen në kaskadën e Drinit gjatë 24 orëve të fundit. “Kemi prodhuar 24.1 milionë kv/orë energji, ka pasur një konsum në vend 21 milionë kv/orë, dhe ka vazhduar edhe importi dhe eksporti i energjisë. OSSH-ja ka importuar 7 milionë kv orë dhe po vazhdojmë të eksportojmë nga KESH 10.5 milionë kv/orë energji”, - ka bërë të ditur ministri Prifti. Sipas tij, niveli i Fierzës duket se është nën kontroll. “Fierza është në një nivel 292.5 metra, ka pasur gjatë 24 orëve të fundit një rritje me 21 cm, sepse edhe prurjet kanë qenë të larta. Por edhe ne, nuk kemi shkarkuar në maksimum nga Fierza për të pasur mundësi për të lehtësuar pak situatën më poshtë. Komani është 172.9 metra, Komani ka rënë rreth 90 cm. Ka qenë e domosdoshme ta ulim nivelin e Komanit, sepse nëse do të rrisnim shkarkimet e Fierzës, Komani duhej të kishte vend bosh për të mbajtur shkarkimet e Fierzës. Vau i Dejës është 74.85 m dhe ka rënë rreth 20 cm gjatë 24 orëve të fundit”, - ka bërë të ditur të dhënat e fundit ministri Prifti. Ai ka nënvizuar se sigurisht që vazhdohet të shkarkohet në të tria HEC-et e kaskadës, në Fierzë pak më pak, në Fierzë është rreth 660 m3 sek shkarkimi që bëhet tani, dhe në 2 hidrocentralet e tjera, në Koman dhe Vaun e Dejës, në nivel pak më të lartë. Ministri Prifti ka nënvizuar dje se situata duket e stabilizuar për sa i përket kaskadës. Nga ana tjetër, ai njoftoi median se i dërguari i Kryeministrit Berluskoni ka nisur të shohë çdo gjë në terren. “Unë sot (dje) në mëngjes kam pasur një takim përsëri me të dërguarin e qeverisë italiane, komisarin e lartë për digat, ku ai më ka komunikuar vendimin e qeverisë italiane se ditën e hënë, do të vijë këtu një grup ekspertësh të përhershëm për të bashkëmenaxhuar së bashku të gjithë menaxhimin e kaskadës. Pra, do të fiksohen ekspertët me pajisjet, me gjithë shërbimet e dhëna nga Italia, përfshirë shërbimet satelitore për të bërë një menaxhim të kaskadës, të paktën deri në përfundim të situatës së emergjencës”, - deklaroi ministri Prifti. Ai bëri me dije se më pas do të hidhen hapat për një marrëveshje me qeverinë italiane afatmesme dhe afatgjatë, për gjithë sistemin tonë energjetik, lidhur me investimet që duhet të pasojnë më tej, për përmirësimin teknologjik të menaxhimit të kaskadës dhe gjithë sistemit energjetik shqiptar. “Të dërguarit të qeverisë italiane sot i kemi vënë në dispozicion një helikopter dhe është nisur me përfaqësuesit tanë dhe të KESH-it, për të bërë inspektim personal në kaskadën e Drinit, pra në Fierzë, në Koman në Vaun e Dejës, për të parë situatën e përmbytjeve në Shkodër. I kemi vënë në dispozicion projekte, harta, të dhëna shumëvjeçare, për të bërë një parashikim shumë të mirë se sa kemi qenë të aftë ne ta bëjmë shkencërisht, përpunimin e të dhënave statistikore, për të kontrolluar më mirë situatën e menaxhimit dhe të prurjeve”, - bëri me dije ministri Prifti. Ministri u shpreh i kënaqur lidhur me menaxhimin e situatës që është bërë deri më tash. “Unë sot sigurisht që ndihem shumë më mirë për menaxhimin e situatës, të paktën nga korporata. Duket se ka një stabilizim të prurjeve, pavarësisht se janë akoma në 1.100 m3 sek, por ka një rënie në krahasim me 24-orëshin e fundit që ka qenë 1800 m3 sek, të paktën flas për Fierzën, sepse ai është indikatori kryesor i problematikës së kaskadës”, - tha ai.
I pyetur nga gazetarët nëse parashikohet përkeqësim i situatës, Prifti nënvizoi se në ditët në vijim mund të ketë sërish reshje të reja, por duke pasur parasysh që shumica e borës ka shkrirë për shkak të reshjeve të kaluara dhe prurjet më të mëdha tashmë kanë ndodhur, kanë ardhur në kaskadë, nuk parashikohet që të ketë një përkeqësim të situatës për javën e ardhshme, përkundrazi parashikohet që të ketë një përmirësim të situatës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›