Në fillim solidariteti
Sulmet politike ndaj qeverisë, kur shumë jetë njerëzore janë në rrezik, nuk janë një politikë që ka në qendër shqetësimet e qytetarit. Përmbytja e madhe në rrethin e Shkodrës duhet të kishte nxjerrë në pah një tjetër dimension të të gjithë politikanëve: solidaritet pa kushte. S’besoj se ka njeri në Shqipëri që beson se qeveria shqiptare ka dorë në krijimin e shiut në qiell.
Siç duket, përmbytja nuk i ka arritur ende përmasat që të sfumojë një katastrofë të krijuar në këtë vend nga njeriu: shkretimin e elitës nga humanizmi.
Në situata të rënda për Shqipërinë, sjellja e etërve tanë ka qenë krejt tjetër.
Në vitin 1914 ullishtat e Vlorës ishin mbushur me refugjatë nga Labëria, të cilët largoheshin nga Gjirokastra e Tepelena për t’i shpëtuar masakrimit nga forcat greke, por edhe në pjesët e tjera të vendit zotëronte kaosi. Qeveria kishte nën zotërim vetëm një pjesë të Durrësit. Ismail Qemali, kur mori telegramin se qeveria shqiptare kishte hyrë në krizë (shtëpia e Esat Toptanit, ministër, ishte qëlluar nga forcat e qeverisë së tij), braktisi Francën ku ndodhej me pushime dhe u kthye në atdhe.
“Duke patur parasysh këto ngjarje të çuditshme, e quajta për detyrë që të kthehesha menjëherë në Vlorë”, - rrëfen ai në 1917, në një artikull për “Quarterly review”.
Dhe ç’bëri në Shqipëri? Fillimisht zbriti në Vlorë, pastaj së bashku me pesëmbëdhjetë fisnikë të krahinës, shkoi në Durrës për t’u takuar me Vidin “me qëllim për t’i shprehur Princit opinionin tonë për situatën”.
Ai ishte 68 vjeç, kishte hequr dorë nga politika dhe mundësitë e udhëtimit asokohe nuk ishin këto të sotmet: nuk kishte avionë të vinte nga Franca dhe nuk kishte autostradë e makina për të udhëtuar nga Vlora për në Durrës.
Por ky nuk është një rast i vetëm. Qeveria e Lushnjës e zgjodhi Mid’hat Frashërin ministër pa portofol dhe kur ia komunikuan lajmin, ai ndodhej në Vjenë dhe nuk pranoi të kthehej. Qëndroi aty për të mbrojtur interesat e vendit, në Paris zhvillohej Konferenca e Paqes dhe fatet e Shqipërisë ishin në tehun e briskut.
Po në këtë periudhë, një shqiptar i madh bënte sakrifica të një lloji tjetër. Fuat Dibra, tregon Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij, “promotori i një politike thjesht kombëtare, ka shpenzuar shuma të mëdha të hollash për realizimin e qëllimit, si për shembull ka paguar 100.000 fr. franceze (80.000 fr. ari) për të botuar një artikull në favor të Shqipërisë në një gazetë me rëndësi të Parisit”.
Shqipëria nuk u bë nga asgjëja, por nga një shpirt i tillë sakrifice. Pastaj erdhi komunizmi që e dehumanizoi këtë vend.
Shqiptari i kësaj periudhe u kthye në karikaturë të njeriut. Në 3 prill 1969, në zonën Mallakastër-Tepelenë ra një tërmet me përmasa të konsiderueshme, ja një detaj nga një lajm i kohës: “Njerëzit flasin me krenari se me të vërtetë muret e shtëpitë patën tronditje nga tërmeti, por zemrat e tyre janë zemra revolucionarësh. Këto ndjenja fshatarët i shprehin gjatë vizitave që shoku Mehmet Shehu dhe shokët që e shoqërojnë bënë nëpër familjet e fshatarëve, shtëpitë e të cilëve janë shembur nga tërmeti”. Dhe më poshtë: “Ata nuk u trembën aspak nga prishja e shtëpisë. Do ta bëjmë të bukur thonë ata. Kushdo flet plot dashuri fjalët: Të rrojë Partia; Të rrojë shoku Enver”. Ose akoma më poshtë: “Njëra prej tyre, Suzana Muhaj, bile ishte e plagosur nga tërmeti, por kur shikonte ata (Mehmetin me shokë) dhe dëgjonte fjalët e tyre, nuk mund ta konceptonte kurrë se shtëpitë e tyre kishin pësuar dëme”. Dhe citimit i fundit: “Kur udhëheqësit e partisë dhe të shtetit po largoheshin nga fshati, kooperativistët e Rabijes... “kënduan këngën e re të krijuar sot”: Pesë prill 69/ Parti e jonë o lule/ Një vendim të madh ke marrë/ Parti e jonë o lule/ Shoku Mehmet në fshat na erdh/ Parti e jonë o lule/ E dërgoi shoku Enver/ Parti e jonë o lule...”
Siç shihet, ata që sakrifikojnë nuk janë udhëheqësit, por njerëzit e thjeshtë që pranojnë të fshehin edhe ndjenjat e tyre të vërteta duke u kthyer në karikatura të neveritshme.
Vitin ‘97 e kemi të freskët në kujtesë, kur përfaqësuesit e opozitës nuk u bashkuan me qeverinë, por i përdorën turmat e armatosura për presion ndaj saj, sepse në vëmendjen e saj nuk ishin interesat e Shqipërisë por ato të personazheve politikë.
Fatkeqësia që ka goditur zonat veriore, është një rast që kryetari i opozitës të takohej me Kryeministrin, duke hedhur pas krahëve të gjitha mëritë. Përveç problemeve të ditës, takimi do të ishte mundësia më e mirë që ata të diskutonin për shpëtimin e vendit nga katastrofa e vërtetë e ditës: moskomunikimi politik. Kur tha se ndodhemi përballë një katastrofe, Kryeministri i bëri thirrje, pavetëdijshëm, humanizmit të gjithë shqiptarëve, përfshi opozitën.