E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lind dashuria mes PS dhe PD, për “imunitetet”

Nga Tedi Blushi
Komisioni parlamentar i Legjislacionit bie dakord për një ndryshim tjetër të Kushtetutës. Ilir Rusmali dhe Ylli Bufi, janë krerët e komisionit dypalësh për projektligjin për “imunitetin”. 

TIRANË - Socialistët ndryshojnë qëndrim lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve, duke u tërhequr nga kushti për pavarësi të institucioneve. Së bashku me demokratët, ata gjetën dje mirëkuptimin për të ndryshuar ligjin themeltar të shtetit sa i përket kësaj pike, duke shuar kësisoj situatën e ndezur politike që ka mbizotëruar së fundmi për çështjen ‘Fazliç’. Këshilli i Legjislacionit pranë Kuvendit, i mbledhur me dyer të mbyllura paraditen e djeshme ka rënë dakord të nisë hartimin e projektit për ndryshimin e Kushtetutës. Pas takimit mes palëve të drejtuara nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, u njoftua se “Këshilli për Legjislacionin vendosi t’u kërkojë dy anëtarëve të tij, zotit Ylli Bufi dhe zotit Ilir Rusmali, që të hartojnë draft-amendamentet për kufizimin e imuniteteve.
Këto amendamente më pas do t’u jepen grupeve parlamentare për nënshkrim, për të vazhduar më tej me procedurat e Rregullores së Kuvendit për rishikimin e Kushtetutës”. Gjatë këtyre tre vjetëve kjo çështje është bërë objekt debati të fortë mes demokratëve, të cilët kërkonin ta realizonin me ligj kufizimin e imuniteteve, ndërsa socialistët, dyshues në fillim, nëpërmjet kryetarit Edi Rama, pranuan më vonë se procesi mund të ndodhte vetëm nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës. Duke e parë si të vetmen rrugë për nisjen zyrtare të procesit, demokratët kanë depozituar mesditën e djeshme edhe kërkesën për tërheqjen e tyre nga iniciativa për rregullimin me ligj të kufizimit të imunitetit.
Kufizimi i imunitetit do të thotë se nenit 73 i ligjit themeltar të shtetit do t’i bjerë fuqia për pikën 2 të tij, që thotë se “me miratimin nga Parlamenti, deputetët apo ministrat nuk mund të ndiqen penalisht nga organi i akuzës si çdo qytetar i vendit, pa marrë më parë lejen e Kuvendit, siç ka ndodhur në rastet e Lulzim Bashës apo Fatmir Mediut. Ndërkohë që nuk dihet ende nëse konsensusi PD-PS për këtë çështje do të ndryshojë edhe pikën ku flitet për arrestimin, apo edhe sa i përket zhveshjes nga imuniteti të zyrtarëve të tjerë, sikundër janë gjyqtarët dhe prokurorët.
(a.s/Gazeta Shqiptare/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›