Klinika qeveritare, ja pacientët VIP për të cilët kujdeset
TIRANE- Dikur ka qenë mjaft e njohur, sot, më pak. E vendosur në një vilë modeste, prapa Presidencës, me staf dhe kushte mjaft të mira, pacientët-VIP të klinikës qeveritare janë gjithnjë e më të rrallë. Ajo varet nga Ministria e Shëndetësisë dhe ka një rregullore të veçantë për funksionim e saj. Dhe në një nga pikat e kësaj rregulloreje përcaktohet se të gjithë personalitete e larta shtetërore mund të marrin një shërbim mjekësor falas, 24 orë në ditë, por shumica e titullarëve ia besojnë shëndetin e tyre dhe të familjes mjekëve të tyre të preferuar. Drejtori i klinikës qeveritare, Halit Stojku tregon për "Gazetën" funksionin e veçantë që ata kanë në mbarëvajtjen e shëndetit të tyre, si është të punosh me personalitete dhe përgjegjësitë që ata kanë. Ai gjithashtu tregon se mosha e re e ministrave të kabinetit i ka rralluar shumë vizitat, ndërsa rrëfen se nuk mungojnë as ata që janë rigoroz dhe ndjekin me përpikëri këshillat e mjekëve, duke filluar që nga Bamir Topi, Berisha, Jozefina Topalli, apo kryeprokurorja e vendit, Ina Rama.
Cili është funksioni i klinikës qeveritare dhe për cilët kategori personash ofron shërbimin e saj falas?
Në fakt, në klinikën tonë mund të marrin ndihmën mjekësore falas duke filluar që nga ministrat, Kryeministri, Presidenti, kryetari i parlamentit. Gjithashtu, po në bazë të ligjit, ne ofrojnë këtë shërbim falas edhe për kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurorin e Përgjithshëm, kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe shefin e Shërbimit Informativ Shqiptar. Sigurisht, edhe për familjarët e tyre. Por përveçse të ofrojmë kujdesin shëndetësor, ne kemi për detyrë të shoqërojmë në udhëtimet e tyre nëpër rrethe kryetarin e Parlamentit, Kryeministrin dhe Presidentin.
Po përse i shoqëroni? Kujdeseni vetëm për shëndetin apo keni edhe ndonjë funksion tjetër?
Një nga funksionet tona është që të kujdesemi vazhdimisht për të tre këto personalitete për çdo udhëtim që ata bëjnë nëpër rrethe. Zakonisht i shoqëron një grup prej dy personash, një mjek dhe një infermier. Përveçse kujdesimi për shëndetin e tyre, ne kemi për detyrë që të kontrollojmë ushqimet, kur këto personalitete do të hanë në vendet ku janë për vizitë. Grupi ynë shkon përpara në vendin ku do të bëhet pritja, bën depistimin e ambientit, si dhe është i detyruar që ta provojë më parë ushqimin për të shmangur çdo të papritur.
Po si bëhet përzgjedhja e ushqimit që do t'i jepet titullarit të lartë?
Në të gjitha rastet, pasi ushqimet janë provuar më parë nga stafi ynë, përgatiten dy ose tre pjata identike dhe ne vendosim në mënyrë rastësore se cila do t'i shërbehet titullarit. Kështu që personeli nuk e di. Ndërkohë që për të rritur masat e sigurisë, ne marrim me vete kampionet e të gjitha asortimenteve, të cilat i ruajmë në një frigorifer të posaçëm me të cilin është i pajisur makina e udhëtimit dhe e ruajmë për 24 orë. Në mënyrë që edhe nëse ndodh ndonjë gjë, ne kemi kampionet e marra të cilat u nënshtrohen analizave specifike. Ky është njëri prej funksioneve tona, ndërkohë që përveç kontrollit të ushqimit, mjeku është gjithmonë i pranishëm nëpër këto udhëtime në mënyrë që nëse titullari do të ketë ndonjë problem shëndetësor, atij t'i jepet menjëherë ndihma e parë e specializuar. Këtu do të shtoja se makinat tona janë të kompletuara me të gjitha aparaturat e nevojshme për të dhënë ndihmën mjekësore.
A ka ndodhur që ndonjëri prej këtyre personaliteteve që ju shoqëroni të dalë jashtë këtij programi, d.m.th të konsumojë ndonjë gjë pa e kontrolluar më parë ju?
Përgjithësisht ata janë rigorozë në zbatimin me përpikëri të programit që është përcaktuar më parë dhe nuk ndodh që ata të konsumojnë ndonjë gjë që është e pakontrolluar. E vetmja gjë është se ata mund të kërkojnë një gotë dhe në këtë rast sigurisht që e lejojmë. Madje do të shtoja se në shumicën e rasteve, edhe ujin e marrin me vete shoqëruesit e personaliteteve.
Njerëzit janë shumë kuriozë të dinë si sillen përgjithësisht këto personalitete. A janë tekanjozë, apo ju punoni rehat me ta? Këtu i referohem tre titullarëve të lartë që ju duhet t'i shoqëroni në çdo vizitë të tyre nëpër rrethe. Kush i respekton më saktësisht këshillat që ju i jepni dhe kush është më …
Është një punë si të gjitha të tjerat që do shumë përkushtim, por që të jep edhe shumë sadisfaksion. Të punosh me personalitetet është shumë komode dhe ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë ata. Do të thosha se më strikti është Kryeministri Berisha, i cili ndjek me përpikëri të gjithë axhendën e përcaktuar më parë dhe kryesisht nuk pëlqen që në këto udhëtime edhe të hajë. Ai gjithashtu është shumë rigoroz me dietën e përcaktuar nga mjekët dhe ecën shumë në këmbë. Kështu, mesatarisht 3-4 herë në javë ai bën 5 km ecje në këmbë, gjë që në fakt e ndihmon që të jetë shumë mirë me shëndetin. Ecjen në këmbë preferon ta bëjë kryesisht në Durrës ose ne Dajt, por nuk e neglizhon asnjëherë. E vetmja e "metë" e tij është se gjatë udhëtimeve nëpër rrethe zhvillon shumë takime. Ndërsa për sa i përket Presidentit Bamir Topi, ne për hir të së vërtetës nuk kemi pasur shumë kontakte me të. Kjo edhe për faktin se ai nuk jeton në Pallatin e Brigadave, por vazhdon të jetojë në shtëpinë e tij. Presidenti Topi gjithashtu merret shumë me palestër, duke qenë se ka një të tillë në shtëpi, ndërsa është në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Gjithashtu, edhe Kryeparlamentarja Jozefina Topalli kujdeset shumë për shëndetin e saj. Edhe ajo ndjek me përpikëri një dietë të shëndetshme si dhe është e apasionuar pas ecjes në këmbë, vrapit apo palestrës, me të cilat merret sa herë që gjen kohën e lirë. Një gjë e tillë e ka ndihmuar atë që të jetë në formë të mirë fizike dhe shëndetësore.
Po ish-presidenti Alfred Moisiu?
Ai ishte më rigorozi. Ish-presidenti Moisiu nuk lëvizte kurrë pa mjekun me vete dhe ndiqte me përpikëri të gjitha këshillat e mjekut. Ndoshta kjo gjë i vinte edhe nga fakti se ai ishte ushtarak dhe ishte mësuar me zbatimin e përpiktë të rregullave.
Në fakt, ju theksuat se në bazë të ligjit duhet të vijnë për kontroll mjekësor tek ju të gjithë ministrat. Në të vërtetë, cili prej tyre vjen rregullisht dhe si paraqitet përgjithësisht gjendja e tyre shëndetësore?
Në fakt, jo të gjithë ata personalitete që mund ta marrin këtë shërbim falas këtu në klinikën tonë, vijnë për një gjë të tillë. Përgjithësisht ministrat e rinj nuk kanë ardhur asnjëherë. Kjo jo vetëm se duke qenë të rinj nuk kanë probleme shëndetësore, por edhe për faktin se tashmë mundësitë për të pasur një mjek personal janë shtuar. Shto këtu që një pjesë preferojnë të vizitohen edhe jashtë Shqipërisë. Por sigurisht që ka edhe një pjesë të tyre që vijnë rregullisht në klinikën tonë. Unë do të përmendja ndër këta ministrin e Arsimit, Fatos Beja, atë të Financave, Ridvan Bode si dhe ministrin e Bujqësisë, Jemin Gjana që janë shumë të rregullt dhe kujdesen shumë për shëndetin e tyre. Dhe përgjithësisht të gjithë paraqesin një gjendje të mirë shëndetësore. Megjithatë, ne çdo 6 muaj u nisim një shkresë zyrtare të gjithë këtyre titullarëve që mund të paraqiten pranë klinikës tonë për të bërë të gjitha llojet e analizave, EKO, apo edhe ekzaminime të tjera që na përcakton ligji.
Përveç anëtarëve të qeverisë tek ju mund të marrin ndihmën mjekësore falas edhe disa titullarë institucionesh të tjera mjaft të rëndësishme. Po ata a vijnë tek klinika qeveritare?
Jo! Ç'është e vërteta asnjëri prej tyre nuk është paraqitur ndonjëherë në këtë klinikë dhe as kanë kërkuar ndihmën tonë. Të paktën që prej tre vitesh që unë mbaj këtë post, nuk ka rënë asnjëherë telefoni për të lënë takime të kësaj natyre.
Përveç këtyre personaliteteve, për shëndetin e kujt tjetër kujdeseni?
Ne kujdesemi për shëndetin e të gjitha delegacioneve qeveritare që vijnë në vendin tonë. I presim ata në aeroport, ose në port, varet se me çfarë vijnë, i shoqërojmë në hotelin ku do të qëndrojmë. Dhe sigurisht që më parë është bërë depistimi i tij, kontrollohet ushqimi dhe pjatat që do të marrin ata përzgjidhen në mënyrë rastësore. Ndërkohë që nga vendet nga vijnë delegacionet na vjen edhe dosja mjekësore e secilit prej tyre, në mënyrë që ne të mos gjendemi përpara të papriturave jo të këndshme. Kjo bëhet edhe për faktin se një pjesë e stafeve të delegacioneve janë persona në moshë mjaft të thyer dhe që kanë nevojë që mjeku t'u rrijë te koka.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)