E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lind në Itali Kombëtarja shqiptare e regbisë

Në Shqipëri sporti i regbisë nuk ekziston, madje as federata e regbisë, por kjo nuk i ka penguar disa shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj të formojnë ekipin Kombëtar shqiptar të regbisë. Lajmin e jep faqja italiane “ilfriuli.it”. Skuadra shqiptare është krijuar nga sportistë që banojnë në Friuli Venezia Giulia, më saktë në Pordenone, ku gjendet edhe një numër i konsiderueshëm emigrantësh. Sipas uebesajtit, edhe pse në Shqipëri nuk ekziston as federatë dhe as klub, kjo nuk i ka penguar shqiptarët të luajnë regbi në Europë, madje në nivele të larta. ”Në eksperiencën time si instruktor në shkollat e provincës, - shpjegon Piergiorgio Grizzo, ideatori i iniciativës, - kam vërejtur praninë e shumë djemve shqiptarë. Thuajse të gjithë kanë cilësi atletike dhe karakter gare më të lartë se mesatarja. Për më tepër që këta të rinj dëshmojnë një lloj sjelljeje natyrale rreth topit oval. Nga kjo lindi ideja edhe për të formuar ekipin e parë kombëtar shqiptar të regbisë”. “Ky sport nuk kuptohet mirë në Shqipëri, kjo edhe për arsye historike apo kulturore dhe është thuajse i panjohur. Për këtë më lindi ideja për të krijuar përfaqësuesen, e cila do të luajë në Itali, pasi në Shqipëri për momentin regbinë nuk e luan askush. Hapi i dytë i projektit do të jetë krijimi i një federate për ta bërë më pas të ligjshme edhe në Tiranë”, thotë presidenti Françesko Silvestri, i klubit të regbisë së Pordenones. Takimi i parë i kombëtares shqiptare të regbisë do të luhet më 6 shkurt në fushën e Pordenones, për të cilën janë thirrur 26 lojtarë shqiptarë, të cilët luajnë në klube të ndryshme në të gjithë Italinë, nga Super 10 e deri te Seria C. Kapiteni i parë do të jetë 21-vjeçari Sevian Daupi nga Durrësi, i cili luan në Serinë Top-10, me Casinò Venezia Mestre. Trajner i Kombëtares shqiptare do të jetë një italian, Valter Cristofoletto (30 ndeshje me Kombëtaren e Italisë).                                                                                              

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›