E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lindja e Diellit” Organizata e drogës në katër shtete, gjykimet të ndara

Autori i Lajmit: Redaksia
Anëtarët e organizatës kriminale të drogës të përfshirë në katër shtete, Shqipëri, Itali Belgjikë dhe Greqi do të gjykohen në procese të ndara. Pesë personat e arrestuar në Shqipëri do të procedohen nga drejtësia shqiptare, ndërsa ata të arrestuar në Itali do të procedohen nga gjykata e Leçes në shtetin fqinj.
Por, një procedurë tjetër do të ndiqet mesa duket për të arrestuarit në Belgjikë dhe Itali, të cilët nuk do të gjykohen nga shtetet ku janë arrestuar, por do të ekstradohen drejt Italisë për tu gjykuar dhe ata nga gjykata e Leçes. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Nga sa mësohet autoritetet italiane është rënë dakord që pesë të arrestuarit në Shqipëri dhe katër të tjerët të shpallur në kërkim të gjykohen nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ndaj nëntë personave të arrestuar nën operacionin ndërkombëtar të koduar me emrin "Lindja e Diellit" është ngritur akuza e "trafikut të lëndëve narkotike"; "krijimit të organizatës kriminale" dhe "kryerjes së veprave penale në kuadër të organizatës kriminale".
Kërkesa për ekstradim
Autoritetet e prokurorisë së Antimafies së Leçes iu janë drejtuar autoriteteve greke me një kërkesë ekstradimi të tre shtetasve të saj të arrestuar në Greqi për llogari të këtij operacioni ndërkombëtar. "Për shtetasit grekë: 51-vjeçarin Dhmitrios Makrygiannis i njohur në përgjime si "Dhimitri", 44- vjeçarin Sotirios Stamatioy i njohur si "Themis" dhe 32 vjeçarin Georgios Malatanos, i njohur si "Georgi" është kërkuar ekstradimi drejt Italisë. Kjo për llogari të prokurorisë së Leçes për tu gjykuar bashkë me 28 personat e arrestuar në Itali. Ndaj tyre është ngritur akuza e "trafikut të lëndëve narkotike" në kuadër të organizatës kriminale, pasi dyshohen se në bashkëpunim mes tyre, tre grekët prisnin "drogën" nga Shqipëria dhe më pas e nisnin atë drejt Italisë"-thuhet nga burimet. Gjithashtu, mësohet se edhe për të arrestuarin në Belgjikë, 38- vjeçarin Isuf Brahimi është dërguar kërkesa për ekstradimin e tij drejt Italisë, për tu gjykuar bashkë me 16 shqiptarët e tjerë të arrestuar në Itali.
Të arrestuarit në Shqipëri
Në të kundërt, të arrestuarit në Shqipëri, shtetasit e dënuar Mariglen Hallka dhe Fatbardh Kapllanaj, Danile Likaj, studentët Pilo Zanaj e Artur Demaj dhe katër personat e shpallur në kërkim do të gjykohen në Shqipëri, pasi materialet hetimore kanë ardhur në nëntor të 2009 me anë të letër- porosisë së përkthyer pranë Ministrisë së Drejtësisë. Sipas prokurorisë, të arrestuarit në Shqipëri kanë qenë furnizuesit kryesorë të "grupit" të arrestuar në Itali dhe për një periudhë nga shkurti i 2005 e deri në mars të 2007 kanë trafikuar me gomone nga Shqipëria në Itali rreth 1.5 tonë hashash dhe 10 kg heroinë në gjashtë episode të ndryshme.

Ky lajm është publikuar: 28/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›