E Diel, 1 Nëntor 2026

Aplikimet për nënshtetësinë britanike rriten me 30%

Autori i Lajmit: redaksia

Londër – Më shumë se 44,000 pasaporta britanike u janë lëshuar të huajve që kanë përfituar nënshtetësinë angleze këto tre muajt e fundit, ndërsa numri i atyre që aplikojnë për të marrë këtë dokument është rritur me 30 për qind. Shifrat e fundit të Ministrisë së Brendshme Britanike tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit 2009 në zyrat e Ministrisë së tyre ishin dorëzuar 51,315 aplikime, 39,325 kërkesa më tepër se e njëjta periudhë e një viti më parë. Numri i emigrantëve që siguruan një pasaportë britanike u rrit me 15 për qind, nga 38,955 në 44,870. Kjo shifër është shumë herë më e lartë krahasuar me 41,000 pasaportat që u lëshuan në vitin 2007. Ndërsa ra numri i emigrantëve polakë që përfitonin lejen e punës në ishullin e Evropës, vihet re një rritje e ndjeshme e emigrantëve nga vendet baltike, si Letonia dhe Lituania. Ndërsa numri i personave me shtetësi polake që aplikonin për tu punësuar në Britani ra nga 16,970 në 12,125, numri i letonezëve, pothuajse u dyfishua nga 1,965 në 5,035 mijë aplikime, ndërsa ai i lituanezëve shkojnë nga 2,710 në 4,250. Në total, numri i aplikantëve për leje pune pësoi një ulje në 26,650, nga 28,835 që ishte në fund të tremujorit të fundit të 2008-s dhe 50,820 në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Nga ana tjetër, numri i azilkërkuesve që kërkojnë të strehohen në Britani ka rënë ndjeshëm. Tremujorin e fundit të 2009-s ata ishin 4,765 aplikantë, 30 për qind më pak se aplikimet e bëra në vitin 2008, 6,778. Por numri i emigrantëve që kanë lënë Britaninë u zvogëlua me 3 për qind, nga 16,340 që ishte në tremujorin e fundit të vitit 2009. Në total numri i vizave të lëshuara është rritur me 16 për qind nga 364,060 në 423,595.

Ky lajm është publikuar: 26/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›