Xhon Lok, person i padëshiruar në Shqipëri Nga Arsen T. Hoxha- Ju nuk mund të futeni në Shqipëri. Pasaporta juaj ka skaduar me kohë,- i tha komandanti i policisë së Rinasit njërit prej pasagjerëve të porsambërritur nga Londra. - Me këtë pasaportë un
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Xhon Lok, person i padëshiruar në Shqipëri Nga Arsen T. Hoxha- Ju nuk mund të futeni në Shqipëri. Pasaporta juaj ka skaduar me kohë,- i tha komandanti i policisë së Rinasit njërit prej pasagjerëve të porsambërritur nga Londra.
- Me këtë pasaportë unë kam qenë i mirëpritur në të gjitha shtetet demokratike të botës, madje në Amerikë më ka pritur personalisht presidenti Tomas Xheferson, - u përgjigj i habitur pasagjeri.
Sapo dëgjoi fjalën Amerikë, komandanti e uli disi tonin dhe me mirësjellje e pyeti se kush ishte qëllimi i vizitës së tij.
- Unë, - tha udhëtari, - jam përkrahës i njerëzve që pushteti u mohon pronat e tyre të ligjshme. Kam dëshirë të takoj dhe t’u jap ndihmesën time drejtuesve të partisë politike, që pretendojnë se mbrojnë interesat e ish-pronarëve, njëkohësisht kam lënë takim edhe me zotin Mero.
- Mos e harxho kohën kot as me partitë e aq më tepër me zotin Mero. Këtë kompetencë kryeministrat e kanë mbajtur gjithmonë vetë. E di ti se ç’do të thotë një pëllëmbë tokë në Shqipëri? - e pyeti komandanti pasagjerin.
- Kjo nuk ka rëndësi, - tha pasagjeri, - sikur edhe çdo pëllëmbë e vetme tokë të jetë, atë duhet ta marrë pronari i ligjshëm. Se si është vepruar nga qeveritë e radhës në këtë drejtim, unë e di, prandaj, këtë radhë dëshiroj të takohem me ata që pretendojnë se mbrojnë pronarët e ligjshëm.
- Ne nuk kemi ndonjë njoftim nga Ministria e Jashtme, - tha komandanti, - prandaj nuk mund ta realizoni vizitën tuaj.
- Vizita ime është private, - tha udhëtari. - Mua më pret zoti Baze. Ai, si gazetar dhe si botues, ka marrë përsipër t’i paraqesë popullit shqiptar librin tim të botuar në të gjitha shtetet demokratike të botës.
- E njohim, e njohim Meron. Një kërbaç të mirë ia dhamë e përsëri nuk vë mend, - tha komandanti. - Pretendon për një demokraci të pastër sikur të ishte vëllai i atij presidentit që ju ka pritur ju në Amerikë, dhe harron se kryeministrat tanë kanë qenë pjesëtarë aktivë të pushtetit të mëparshëm. Por për ju vetëm miqësia me Meron mjafton që kurrë të mos futeni në Shqipëri, megjithatë, - tha komandanti, - meqë më dukesh burrë i mirë dhe meqë edhe unë kam ca prona që nuk m’i japin, po bisedoj njëherë me ata të Ministrisë së Jashtme.
- Unë, - tha zëvendësministri i Jashtëm, - nuk e kam dëgjuar kurrë këtë emër.
- Ndërsa unë, - tha ministri i Jashtëm, - kam dëgjuar për Xhon Kenedin, për Xhon Travoltën, për xhonturqit, por kurrë s’kam dëgjuar në Shqipëri të flitet për këtë Xhon Lokun! Unë, të them të vërtetën, - vazhdoi ministri, - edhe pse nuk jam i qartë se a ekziston një parti që të mbrojë të drejtat e pronarëve në Shqipëri, ai le t’i takojë ata që dëshiron, por atë Meron në asnjë mënyrë
- As unë s’e kam dëgjuar këtë emër, - tha kryetari i partisë. - Nëse udhëtari pretendon se është një personalitet me famë botërore, qoftë i nderuar atje ku është. Ne, - i tha ai ministrit të Jashtëm, - nuk kemi pse harxhojmë kohë kot. Personalitet është ai që nga hiçi të bën ministër e jo ai që në dorë ka vetëm çelësat e kashtës. Megjithatë po pyes njëherë Presidentin tonë të Nderit, sepse si njeri i letrave dhe politikës ai mund të ketë dijeni për këtë Xhon Lokun.
- Po, - u përgjigj në telefon presidenti. - Xhon Lok (1632-1704) është një filozofi shquar anglez, është i pari që përgjithësoi në formë të përsosur idetë themelore të Kushtetutës demokratike. Ato patën një ndikim të fuqishëm te themeluesit e Shteteve të Bashkuara dhe te shumica e filozofëve të shquar botërorë.
- Po ç’dreqin do të takohet me ne, mos na merr gjë për filozofë? - pyeti kryetari.
- Sepse partia jonë për të tërhequr në elektoratin e vet ish-pronarët, të cilët në numër nuk janë pak, doli me sloganin se mbron të drejtat e tyre, - sqaroi presidenti i partisë.
- Ne e paskemi kërkuar belanë me duart tona, e sidomos unë që s’kam pasur fare prona. Çështjet e pronave janë tepër të vështira dhe nëse lufton që ato të shkojnë në të gjitha rastet te pronarët e ligjshëm, do të thotë që gjithmonë të jesh në luftë me kryeministrin,- tha kryetari.
- Në praktikë çështja nuk është aq dramatike sa e paraqisni ju, - tha presidenti. - Ju, ashtu si dhe unë, me të vërtetë që në pamje, para çdo fushate zgjedhore i kemi vënë ca kushte kryeministrit, që natyrisht është marrë më parë edhe miratimi i tij, por, posa zgjedhjet kanë përfunduar dhe janë bërë publike votat që ne kemi marrë apo na kanë falur, çdo gjë është lënë në harresë. Përderisa ka akoma njerëz naivë, - vazhdoi ai, - që besojnë në premtimet tona, ne jemi të sigurt se frytet e pushteteve që kryeministri na ka besuar, edhe për një kohë të gjatë do t’i gëzojmë.
- Po me këtë Xhonin, çfarë mendon të bëjmë? - pyeti kryetari.
- Unë mendoj t’i themi se vizitat bëhen në bazë të një protokolli të caktuar e nuk mund të presim miq të paftuar, - iu përgjigj presidenti.
- Po ja dhe e pritëm, ç’u bë? - tha kryetari.
- Mua s’para më pëlqejnë ballafaqimet që na vënë në siklet. Për shembull Xhoni e quan një budallallëk klasik dhe të paimagjinueshëm për të, që unë ta marr pronën time, ndërsa komshiu im shekullor të mos ta marrë atë, vetëm sepse midis pronës time dhe të atij na ekzistoka në kadastrën e trashëguar nga komunizmi një “vijë e verdhë”. - Xhon Lok, vazhdoi presidenti - thotë: “Shumica nuk mund t’i shkatërrojë të drejtat e natyrshme njerëzore dhe nuk është e lejueshme që të hiqet e drejta e pronës private vetëm në përputhje me administrimin…”. Xhon Lok ka besuar shumë në të drejtat e natyrshme të njeriut, që nënkuptohet, jo vetëm e drejta për të jetuar, por edhe e lirisë personale, si dhe e drejta e pronës private. Ai thotë: “Liria e çdo njeriu në përgjithësi do të thotë që ai të mos i nënshtrohet asnjë pushteti tjetër ligjvënës, veç atij që është në përputhje me shtetasit”. Ka dhe një arsye më shumë që unë mendoj se ai dhe vepra e tij nuk duhet të hyjnë në Shqipëri. A e kupton ti se ç’do të thotë që dorëshkrimet e librit të tij të famshëm “Dy drejtime për udhëheqjen qytetarë” të bien në dorën e Meros?
- Pse, mos vallë në bëjmë udhëheqje fshatare që vjen ai nga lashtësia e do të na tregojë se çfarë duhet të bëjmë ne në kohët moderne apo ne duhet të jetojmë me frikën e Meros? - pyeti kryetari.
- Me atë kokë që ka Mero, - vazhdoi presidenti, - jam i bindur se kopertinën e librit do ta mbushë me mesazhin kryesor që Xhon Lok jep në librin e tij: “… Kur ligjvënësit synojnë të rrëmbejnë ose të shkatërrojnë pasurinë e njerëzve ose t’i sistemojnë ata në nivelin e robërve të një pushteti të dëshirueshëm, ata vihen në gjendje lufte me popullin, i cili atëherë nuk i nënshtrohet askujt. Mbetet vetëm zgjidhja e zakonshme, që Zoti ua ka dhënë të gjithëve: lufta kundër forcës dhe tiranisë. I mbetet popullit që ta largojë pushtetin e lartë ose të ndryshojë ligjet që bien në kundërshtim me vullnetin e tyre”.
- Mos u shqetëso, asgjë nuk ka për të ndodhur, - tha kryetari i partisë, - sepse pronarët e ligjshëm nuk janë të tradhtuar vetëm nga ne; ata në radhë të parë janë të tradhtuar nga krerët e shoqatave të tyre. Ne së bashku dhe të ndihmuar nga 5 policë të qeverisë i kemi bërë bregdetasit me në krye niviciotët apo banorët e Orikumit që të heshtin e t’i harrojnë njëherë e përgjithmonë pronat e tyre. Në rast rreziku, në krahun tonë do të jenë të rreshtuar mijëra pronarë të paligjshëm, të cilët janë me pará, me pushtet dhe në përgjithësi të dhunshëm. Sa për atë Xhon Lokun, - vazhdoi rëndë-rëndë kryetari, i veshur njëkohësisht edhe me postin e ministrit që i është bërë një barrë e madhe nëpër këmbë për të realizuar me sukses misionin e partisë së tij në mbrojtje të të drejtave të pronarëve të ligjshëm, - do t’u themi atyre të Rinasit që ta kthejnë andej nga ka ardhur.
Ndërkohë që komandanti me njëfarë sëkëlldie u kthye nga udhëtari për t’i thënë se ai ishte person i padëshiruar në Shqipëri, dëgjoi atë të gëzuar t’i thoshte se “zoti Mero po vjen.”
Komandanti u step. Personi përballë tij nuk ishte qeros. Kokën e kishte të mbushur me flokë, madje kaçurrela. Ai nëpër dhëmbë tepër i inatosur tha: “Maskarai, na paska vënë paruke që mos ta njohim ne”, por shumë shpejt e pa se ishte i gabuar. Personi përballë tij nuk ishte i ngrysur si Mero që ai njihte, përkundrazi, i qeshur dhe tepër simpatik.
- Arian Mero më quajnë, - iu prezantua ai komandantit.
- E çfarë rëndësie ka kjo, të gjithë ata që në përbërje të identitetit kanë fjalën Mero, qoftë ky si emër apo mbiemër, të njëjtin surrat kanë. Të gjithë janë armiq të qeverisë e në mënyrë të veçante të kryeministrit, - tha me vete komandanti.
I vendosur dhe shumë serioz ai u kthye nga z. Mero dhe i tha se mund ta takonte z. Xhon, por dorëshkrimet nuk mund t’i merrte. Ai së bashku me dorëshkrimet e tij ishin të papranueshëm në Shqipëri.
- Kjo, - tha z. Mero, - është mungesë demokracie. Është shkelje e të drejtës së botuesit.
- E drejta e botuesit, para së drejtës së qeverisë, nuk është asgjë. Rrogën mua ma jep qeveria zotëri e jo ti, - ia ktheu disi i nxehur komandanti.
Duke vëzhguar avionin që po largohej, komandantit i shkuan në mendje qindra personalitete botërore që kishin ardhur për të ndihmuar Shqipërinë.
- Mirë ata, mendonte ai, por kulmi është se nuk po na lënë rehat as këta të vdekurit. Ngrihen nga varri dhe me ca hieroglifë të servirur shekuj më parë duan të bëjnë ligje edhe në kohën e sotme, sikur ne pushtetarët tanë t’i kishim budallenj. E ku ta dijë ai i gjori se sa vlen një metër katror tokë në Shqipëri, e nëse toka do t’u kthehet me të vërtetë pronarëve të ligjshëm, një pjesë e mirë e pushtetarëve, politikanëve apo të të pasurve të krijuar prej tyre do të ngelnin me gisht në gojë.