E Diel, 1 Nëntor 2026

"Lindje, Perëndim, Lindje"

"Lindje, Perëndim, Lindje", prodhimi kinematografik i Gjergj Xhuvanit, do të shfaqet premierë në të parin edicion të "PriFilmFest", festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, që do të çelet më 22 shtator. Regjisori Xhuvani më parë pati deklaruar që premiera e filmit do të ishte në fillim vjeshtës së 2009-ës, por ende nuk kishte bërë të ditura detajet e shfaqjes së tij. Filmi, skenari i të cilit i përket Dhimitër e Gjergj Xhuvanit, si dhe Jani Durit, vjen si një bashkëprodhim italo-shqiptar. "Lindje, perëndim, lindje" është një film i ri shqiptar i vitit 2008, protagonisti kryesor i së cilit është aktori i mirënjohur Ndriçim Xhepa. Publiku i festivalit "PriFilmFest" do të ketë mundësi kështu të njihet me historinë e një grupi çiklistësh diku nga fundi i viteve ‘80. Në Ministrinë e Sportit dhe Kulturës së asaj periudhe, mbërrin një letër e ardhur nga Europa, e cila fton çiklistët shqiptarë të marrin pjesë në një kampionat italian. Nga këtu nis e gjithë historia dhe zhvillimi i ngjarjeve që rrëfen tranzicionin e kohës. Filmi trajton historinë e pesë çiklistëve: Helidon Fino, Gentian Hazizi, Lulzim Zeqja, Ervin Bejleri, Fatjon Pustina dhe trajneri i tyre, Ndriçim Xhepa, që kanë shansin për të prezantuar Shqipërinë në një garë çiklistike, që do të zhvillohet në Francë. Pesë shqiptarë që kanë ëndrra e dëshira, të cilat shemben njëra pas tjetrës. Për shqiptarët që janë akoma të izoluar, kjo është një ngjarje e madhe, e cila do të zgjidhë shumë ëndrra. Megjithatë, që kur mbërrijnë në Itali, ata izolohen. Në këtë kohë në Shqipëri shpërthejnë protestat, qytetarët hyjnë në ambasada. Shteti e humb funksionin. Filmat e "PriFilmFest" do të shfaqen në Teatrin Kombëtar të Prishtinës. Ky do të jetë edhe vendi kryesor ku do të bëhen projeksionet e filmave në konkurrim, që i takojnë kategorisë "Winners", pra fituesit e shpërblimeve "Oscar", "Golden Globe", "Golden Bear" në Festivalin e Berlinit, Festivalin e Kanës etj., në festivalet më prestigjioze. Një tjetër vend i shfaqjes së filmave do të jetë kinemaja e "American School of Kosova". Këtu janë menduar të shfaqen filmat kosovarë të punuar para dhe pas luftës, pra është një vend i cili u kushtohet filmave retrospektivë, të cilët i përkasin kategorisë "Pre and Post War Kosovo Cinema". Ndërkaq, drejtoresha e "PriFilmFest", Vjosa Berisha, konfirmon se përveç filmit "Lindje, Perëndim, Lindje", edhe një tjetër film shqiptar do të shfaqet gjatë ditëve të festivalit, dhe ky është "Koha e Kometës", e regjisorit Fatmir Koçi. Që të dy janë filma në konkurrim. Ndërkaq, jashtë konkurrimit do të shfaqet premierë edhe filmi i Yll Çitakut, "Përtej rrugës", që do të jetë premierë speciale dhe dy filma të shkurtër, ai i Arzana Krajës dhe Gazmend Nelës. Ndërkaq, bëhet e ditur se organizatorët janë ende në bisedime për shfaqjen e disa filmave të tjerë. Pritet që premiera e filmit "Lindje, Perëndim, Lindje" e Gjergj Xhuvanit, të shoqërohet në Prishtinë edhe me pjesëmarrjen e disa prej protagonistëve të filmit. "Prishtina International Film Festival", festival ndërkombëtar i filmit artistik me metrazh të gjatë, pritet të vijë si një konfirmim se Kosova është në rrugë të mbarë me artet e industrisë së rëndë si kinemaja apo teatri. Ai është cilësuar si mjaft i nevojshëm për Kosovën, një shtysë për zhvillimin e kinematografisë kosovare. Ishte menduar që edicioni i parë i këtij festivali të mbahej në muajin qershor për një paraqitje sa më dinjitoze të tij, por për shkak se kumbara e këtij festivali, aktorja britanike, Vanessa Redgrave, mori një goditje të rëndë nga vdekja e së bijës, aktores Natasha Richardson, festivali u shty. Kontaktimi i shtëpive filmike nga vende të ndryshme të botës ka nisur qysh një vit më parë. Ata janë përpjekur të sjellin para publikut një repertor sa më serioz. "PriFilmFest" është themeluar nga Fatos Berisha, regjisor dhe drejtor artistik i festivalit, Vjosa Berisha, Orhan Kerkezi dhe Faton Hasimja. Ideja për realizimin e këtij festivali përpunohet prej dhjetë vitesh dhe më në fund organizatorët kanë arritur në rezultatin final.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›