E Diel, 1 Nëntor 2026

Restaurohet kompleksi islamik i Xhermëhallës

Medreseja dhe xhamia, tyrbet dhe hamami, krojet dhe xhamia e beut, këto objekte që vazhdojnë të ekzistojnë si dëshmi e qytetarisë 500-vjeçare të qytetit të Delvinës, kanë nisur të restaurohen. Pas një kohe të gjatë harrese dhe shkujdesjeje për këto elemente, tashmë vëmendja e punonjësve të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Sarandë, që përfshin edhe Delvinën, është drejtuar mbi to. Një projekt kompleks restaurimi dhe konsolidimi, që është duke u zbatuar nga ekspertë e specialistë të fushës, përfshin këto pasuri të Delvinës, të gjendura në lagjen më tradicionale të Xhermëhallës, nën kalanë e qytetit. Ilir Papa, drejtor i kësaj drejtorie rajonale, që ndjek zbatimin e projektit, thotë se në secilin monument veç e veç kjo nuk është ndërhyrja e parë që bëhet, por të marra në tërësinë e kontekstit të tyre historik, si kompleks i kulturës islame, është hera e parë që ato përfshihen në një projekt të përbashkët. Ai thotë se, përveç afërsisë së vendndodhjes në hapësirë të medresesë dhe xhamisë, tyrbeve të teqesë së Baba Mirit dhe hamamit, krojeve dhe xhamisë së beut që janë jo më shumë se 500 metra larg njëri-tjetrit në vijë ajrore. Ato kanë të përbashkët edhe datimin e tyre, që u përkasin viteve 1580, datim ky që flet qartazi për hershmërinë e Delvinës si zonë banimi.

Restauruesit do të kryejnë ndërhyrje në të gjitha objektet që kanë nevojë urgjente për t‘u shpëtuar. Në përgjithësi bëhet kujdes që si material restaurues të përdoren gurët e vetë objekteve, duke ruajtur besnikërisht autenticitetin dhe origjinalitetin e tyre. Puna restauruese ka shërbyer jo vetëm për t‘i përafruar monumentet me imazhin e tyre të dikurshëm, kur kanë qenë funksionale. Papa thotë se deri tani mendohej që medreseja ka qenë një ndërtesë njëkatëshe, ndërsa restaurimi na ka çuar në përfundimin se ka shumë mundësi që ajo të ketë pasur edhe një kat tjetër, si dhe dy dhoma të tjera, të cilat koha i ka mbuluar, por gërmimet e mëtejshme do të tregojnë se përse përdoreshin saktësisht ato. Xhamia e lagjes Xhermëhallë, e ndodhur në krah të medresesë (shkollës), është e njohur dhe e dokumentuar si një nga më të mëdhatë e kohës. Restauruesit e kanë drejtuar vëmendjen dhe punën e tyre në këto ditë, sidomos në evidentimin dhe restaurimin e kolonave të periudhës paleokristiane, që kanë hasur në këtë objekt. Prania e tyre merret si sinjal se ka shumë mundësi që në këtë vend më parë të ketë qenë ndërtuar një kishë paleokristiane, mbi rrënojat e së cilës mendohet se është ndërtuar xhamia më e vonë në kohë. Pas kësaj të dhëne hipotetike, është radha e studiuesve për të mbërritur në një përfundim shkencor pas një pune më të thelluar mbi këtë objekt monumental. Hamami, vendi ku banorët laheshin, gjithashtu është duke iu nënshtruar projektit restaurues. Ai daton në vitet 1614 dhe projekti parashikon pastrimin e këtij monumenti nga bimësia disavjeçare që e ka mbuluar. Ndërsa vazhdimi i punës edhe gjatë vitit të ardhshëm do të realizojë ndërhyrje të mirëfillta restauruese të mureve në pjesët e dëmtuara të hamamit dhe ndarjet e brendshme të tij. Restauruesit kanë bërë pjesë të punës edhe tyrben, duke realizuar rehabilitimin e saj në pjesën e çatisë me rrasa guri. Kroi, i ndodhur vetëm disa metra larg medresesë dhe tyrbes, është ndoshta nga elementet që do të kërkojë më tepër punë rehabilituese, në përbërje të kompleksit islamik. Banorët e lagjes kalojnë përditë nga kroi dhe ai vazhdon të jetë funksional për ujin e tij të kulluar, me të cilin furnizohet gjithë lagjja. Për të gjitha këto ndërhyrje të kompleksit islamik të Xhermëhallës është parashikuar një fond prej 4 milionë lekësh nga buxheti i shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›