Lindje e Mesme, vriten 4 izraelitë në prag të negociatave paqësore
Në prag të fillimit të negociatave paqësore për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme, në Jordanin Perëndimor janë vrarë katër izraelitë që ndodheshin në njërën prej rrugëve të vendit. Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë organizata radikale islamike Hamas, e cila ka kundërshtuar negociatat paqësore me Izraelin. I ashtuquajturi krahu i luftës i Hamasit, ka paralajmëruar aksione të tjera në vijim. Izraelitët e vrarë, dy gra dhe dy burra, janë qëlluar me armë zjarri në rrugë, ndërsa po udhëtonin me makinën e tyre në afërsi të ngulimit hebre Kiriat Arba në Hebron. Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak paralajmëroi një kundërpërgjigje të ashpër. Qeveria palestineze në Ramallah e ka dënuar këtë sulm, duke thënë se është kundër interesave të palestinezëve.