E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lionel Mesi "fshin" Kristiano Ronaldon

Në Spanjë e përkufizojnë vetëm me një fjalë, "perfecto". Evropa është gjunjëzuar përpara klasit të argjentinasit dhe të gjithë janë në një mendje: Lionel Mesi dhuron magji në fushën e lojës. Kjo u pa edhe në fitoren 4-0 të Barcelonës përballë Bajernit të Mynihut. Talenti "blaugrana" zhvilloi një ndeshje të denjë për lojtarin më të mirë në botë. Madje, as Kristiano Ronaldo, fituesi i të gjitha çmimeve individuale në vitin 2008, nuk do të mund të paraqitej në nivele më të larta se sulmuesi i katalanëve. Barcelona çmendet për Mesin, që në faqet e para të gazetave politike shfaqet duke qeshur mbi foton e Zapateros me qeverinë e re. E thërrasin "pleshti", gjithsesi në të vërtetë ai është një "shigjetë" drejt fitimit të "Topit të Artë". Nuk ka asnjë dyshim se sot për sot, ai është numri 1. "Perfecto", e përkufizon "El Periodico de Catalunya" dhe në vlerësimin për Mesin asgjë nuk duket e tepruar. Por, nëse mediat në Barcelonë "përkëdhelin" me të drejtë njeriun e momentit, më mbrapa nuk mbeten as gazetat më të mëdha në kontinent. Tashmë nuk duken të ekzagjeruara as deklaratat e presidentit Johan Laporta, që përpara sfidës me bavarezët tha "Është gjenial! Barça nuk do ta shesë as nëse sheikët paraqiten me një ofertë faraonike". Mesi është simboli i politikës në klubit, që largoi Ronaldinjon dhe Dekon, duke u mbështetur tërësisht te talenti i rritur në akademinë e klubit, ku militon që prej moshës 13-vjeçare.

Në këtë sezon, diferenca ndërmjet Mesit dhe Kristiano Ronaldos është e madhe. Nuk bëhet fjalë për gjatësinë (184 centimetra portugezi dhe 169 argjentinasi) e as për moshën (mesfushori i Mançesterit i ka mbushur 24 vjeç, ndërsa Mesi ende nuk ka festuar ditëlindjen e 22-të). Ndryshimi i vërtetë qëndron në rendimentin në fushën e lojës. Në Champions League, aktivitet që për çmimin si "Lojtari më i Mirë" apo për "Topin e Artë" vlen më shumë, Ronaldo ka shënuar vetëm një gol, ndërsa Mesi tetë në po kaq ndeshje. I pari nuk ka gjurmë në barazimin 2-2 të Junajtid me Porton, ndërsa argjentinasi shënoi dy rrjeta kundër Bajernit e dha pasime golash për shokët, duke qenë katalizatori i sulmit më spektakolar në botë: 19 gola në Ligën e Kampioneve, 8 të Mesit, 6 të Henrisë dhe 5 të Eto‘o. Statistikat e treshes ofensive të Barcelonës bëhen më të frikshme me 85 gola të shënuar në të gjitha aktivitetet e këtij sezoni (Mesi 32 gola, Eto‘o 31 dhe Henri 22). Drejtuesit e klubit dhe tifozët kanë besim se me këta yje dhe trajnerin Pep Guardiola në krye të stolit mund të triumfojnë në Spanjë dhe në Evropë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›