Çelsi, gati 50 milionë euro për t‘i dhuruar David Vijën Ançelotit
Skuadra e njohur angleze, Çelsi është e gatshme të thyejë çdo rekord ekzistues, vetëm e vetëm për të blerë sulmuesin e jashtëzakonshëm të spanjollëve të Valencias, David Vija, i cili do të shërbejë si një dhuratë për trajnerin e ardhshëm të këtij ekipi, italianin e Milanit, Karlo Ançeloti. Tekniku aktual i kuqezinjve jepet nga mediat britanike si zëvendësuesi i sigurt i Gus Hiding në skuadrën e Çelsit dhe transferimi i tij pritet të konkretizohet vetëm të përfundim të sezonit aktual. Vija konsiderohet nga të gjithë si një ndër sulmuesit më rezultativë në kontinentin evropian: Sipas gazetës së përditshme angleze "The Guardian", padroni rus i anglezëve, Roman Abramoviç, është i gatshëm të shpenzojë deri në 50 milionë euro për të rrëmbyer sulmuesin spanjoll nga skuadra e Valencias. Vija është i shumë kërkuar që prej më shumë se dy sezonesh nga klubi i "Stamford Bridge" është një nga objektivat primarë në listën e blerjeve të merkatos së kësaj vere. Një faktor që mund të ndikojë pozitivisht në realizimin e kësaj tratative nga ana skuadrës angleze është edhe momenti jo i mirë financiar që po kalojnë prej më shumë se një vit klubi spanjoll, i cili ka në pronësi lojtarin. Kriza ekonomike pritet të jetë një stimulim më shumë për të bindur Valencian ta lërë të largohet bomberin e saj. Është pikërisht kjo arsyeja, e cila do t‘i shtyjë drejtuesit të heqin dorë nga një pjesë e xhevahireve të tyre si sulmuesi David Vija apo edhe mesfushori David Silva. Ky i fundit është i shumë kërkuar nga disa prej skuadrave më të mira të Evropës, si Mançester Junajtid, Arsenali në Angli dhe Juventusi në Itali. Nëse kjo tratativë e Çelsit do të duhej të mbyllej me sukses, atëherë sulmuesi spanjoll do të shndërrohej në lojtarin më të kushtueshëm në historinë e futbollit anglez, duke kaluar kështu shumën e 37 milionë eurove, të cilat sezonin e kaluar Mançester Siti i ka paguar për te Reali i Madridit për të blerë Robinjon. I interesuari direkt ka hedhur poshtë gjithçka në një intervistë të dhënë për sportiven spanjolle "As", duke theksuar se dëshiron të qëndrojë te Valencia: "Do qëndroj këtu. Nuk influencohem nga thashethemet. Klubi vetëm ka thënë se do të respektojë kontratën 6-vjeçare. Në rast se do të ndodhë ndonjë gjë, do të vlerësojmë situatën. E shikoj veten këtu për shumë vite, derisa klubi të vendosë ndonjë gjë tjetër".