Liqeni i Kukesit prurjet ne nivele te uleta
Liqeni i Fierzës ka shënuar nivelin e tij kritik si rrallë ndonjëherë për këtë stinë. Edhe pse reshjet e dëborës të rëna gjatë javëve të fundit kanë thyer çdo rekord për më shumë se 25 vite me radhe, prurjet e dy lumenjëve Drin, që janë dhe furnizuesit kryesor të këtij liqeni, nuk kanë shënuar rritje. Rrënojat e qytetit të Kukësit të vjetër kanë dalë në sipërfaqe, gjë që nuk ndodh shpesh.
Aktualisht prurjet e dy lumenjëve, Drin i Bardhë dhe Drin i Zi, janë më pak se 200 metër kub në sekondë, ndërsa nivel i ujit deri në fillim të marsit është ulur pothuajse me 20 cm në ditë.
Për shkak të rritjes se temperaturave, prurjet në këto ditë të para të marsit po japin shenja optimizmi. Niveli i ujit po rritet duke filluar sërish zhytjen e Kukësit të vjetër.
Niveli i prurjeve është dyfishuar krahasuar me javën që lamë pas, por jo me atë ndikim pozitiv që pritej. Sasia e dëborës së rënë në të gjithë verilindjen po humbet shtresën e saj nga shkrirja dhe sipas specialisteve niveli i prurjeve sigurisht që do ketë rritje të konsiderueshme në ditët në vijim.