Liqeni i Prespës ripopullohet me 500 mijë rasate krapi

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Liqeni i Prespës është pasuruar me 500 mijë rasate krapi, të prodhuara në zonën e Zvezdës në Korçë, në një nismë që synon forcimin e ekosistemit ujor, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbështetjen e peshkimit në zonë.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se rasatet janë hedhur në liqen me qëllim ripopullimin e faunës ujore dhe pasurimin e burimeve natyrore të Prespës.
“Liqeni i Prespës, i cili është ripopulluar me 500 mijë rasate krapi, të prodhuara në Ekonominë e Zvezdës në Korçë, synon pasurimin e ekosistemit ujor, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbështetjen e peshkimit dhe ekonomisë lokale”, u shpreh Salla.
Kjo ndërhyrje synon të kontribuojë në menaxhimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të pasurive ujore, duke krijuar njëkohësisht mundësi për zhvillimin e peshkimit dhe ekonomisë së komuniteteve lokale.
Ripopullimi i Liqenit të Prespës me rasate të prodhuara në vend përbën gjithashtu një tjetër aktivitet të Ekonomisë së Zvezdës në Korçë, e cila shërben për prodhimin e materialit biologjik për pasurimin e faunës ujore.
1 nga 3/e.xh/a.f/