Liqeni i Zi i Radomirës, destinacion për turistët e aventurës

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Fshati i Radomirës, 37 km nga Dibra është kthyer vitet e fundit në një destinacion të preferuar për të pasionuarit pas ngjitjeve në mal.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ndau sot pamje nga liqeni i Zi në Radomirë, i cili ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar Korab Koritnik.
“Liqeni i Zi i Radomirës është një nga perlat më të veçanta natyrore të Shqipërisë. I formuar nga akullnajat dhe i rrethuar nga pyje ahu e pishash, një peizazh i paprekur”, shkruan Japuaj.
Sipas ministrit, liqeni është “një destinacion për ata që kërkojnë aventurë, ajër të pastër dhe bukurinë autentike të Alpeve Lindore shqiptare”.
Liqeni në dimër ngrin në sipërfaqe dhe ka një hapësirë prej 0.8 ha. Është i pasur me një botë të gjallë. Ka vlera shkencore gjeologjike, hidrologjike, biologjike, estetike, didaktike, ekologjike dhe kulturore.
Ky liqen është i rrethuar nga një masiv pyjor me pishë të zezë. Për vlerat e veçanta natyrore gëzon statusin Monument Natyre.
Radomira, pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik, shënon hyrjen në rrugën turistike që ngjitet drejt malit të Korabit.
Pranë këtij fshati sidomos gjatë stinës së verës vijnë shumë turistë vendas e të huaj. E vendosur rrëzë malit të Korabit, majës më të lartë në Shqipëri dhe e rrethuar nga pisha është Radomira magjike.
Ajri i pastër, burimet e ujit, kullotat dhe pyjet në anët e Korabit përbëjnë burime të çmuara që mund të kontribuojnë në zhvillimin e zonës, duke e kthyer Radomirën në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.
Dibra ka resurse të jashtëzakonshme natyrore, pasi është një nga trevat më të bukura të vendit, kufizohet me Maqedoninë dhe shtrihet në një territor të gjerë, nga lartësia e malit të Korabit dhe deri në kufijtë e Matit me malin e Dejës, ku shtrihet në veri Lura, një nga perlat e Shqipërisë.
/m.q/j.p/