E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liri Berisha: Shqipëria, ridimensionim figurës së Nënë Terezës

KOMENTET | KODI EMBED | VIDEO TE TJERA | FORMAT KINEMA [ kodi embed per kete video ]

SHKODËR - Në prag të ditës Kombëtare të Lumturimit të Nënë Terezës, në Shkodër është bërë inagurimi i banesës ku kanë jetuar familjarë të saj. Të pranishme kanë qenë Zonja e Parë Teuta Topi dhe bashkëshortja e Kryeministrit Liri Berisha, të cilat kane vizituar shtëpinë, që pas rikonstruksionit ka marrë një pamje tjetër.


Liri Berisha, është shprehur se "çdo vend kërkon të marrë një pjesë nga historia dhe jeta e kësaj figure për ta bërë të veten. Ne shqiptarët duhet patjetër, me përpjekje të përbashkëta, të bëjmë të pamundurën për ridimensionimin e kësaj figure, ta vendosim atë në piedestalin që i takon duke korrigjuar atë pjesë të shëmtuar të historisë ( flas për brezin tim)".

Më tej ajo ka shtuar se fondacioni kulturor "Nënë Tereza", që ajo drejton do të mbështesë Qeverinë dhe të gjitha organizmat që duan të ngrenë në Tiranë muzeun me rastin e 100 vjetorit të Nënë Terezës.

Deklarata e zonjës së Kryeministrit vjen pas një debati mbarëkombëtar që është hapur për kthimin në atdhe të eshtrave të Nënë Terezës. India është shprehur kategorikisht kundër kërkesës së kryeministrit Berisha për kthimin e eshtrave me argumentin se murgesha ka marrë shtetësinë indiane që në vitin 1951.

Neser ne Shqiperi eshte pushim zyrtar me rastin e Dites se Nene Terezes.

****************


"Nga gjaku jam shqiptare, nga shtetësia, indiane, nga besimi jam katolike, por për të gjithë ata që kërkojnë ndihmën time, i përkas gjithë botës". Me këto fjalë të Nënë Terezës hapet një kronikë e televizionit CNN për debatin e fundit mes Shqipërisë dhe Indisë lidhur me kërkesën për kthimin e eshtrave të saj në vendin tonë.
Në faqen online të televizionit shkruhet se qeveria shqiptare dhe ajo indiane janë përfshirë në një debat lidhur me këtë kërkesë, pasi Tirana kërkon që të riatdhesojë eshtrat e saj me rastin e 100 vjetorit të lindjes, që përkon vitin tjetër.
"Fjalët e thëna prej saj ndoshta do të shërbejnë pak për të zgjidhur një grindje diplomatike rreth saj"- thotë CNN.
CNN citon kryeministrin shqiptar, duke nënvizuar deklaratat e vetë Nënë Terezës. "Ajo lutej përditë për familjen e saj dhe vendin e saj. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se të dy qeveritë duhet të flasin rreth kësaj çështjeje për të gjetur një zgjidhje," citon CNN Berishën.
Më tej, vijon deklarata zyrtare e qeverisë indiane, përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, sipas të cilit Nënë Tereza është shtetase indiane dhe po prehet në vendin e saj, në tokën e saj.



AFP, India: Nënë Tereza, shtetase indiane. Nuk i kthejmë eshtrat

Nju-Delhi - India është shprehur kategorikisht kundër kërkesës së qeverisë shqiptare për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri. Lajmi është raportuar nga agjensia AFP, sipas të cilës murgesha ka marrë shtetësinë indiane në vitin 1951.

"Nënë Tereza është shtetase indiane dhe ajo po pushon në tokën e saj, në vendin e saj"- ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme në Nju Delhi, Vishnu Prakash.

Pas vdekjes së saj, më 5 shtator, 1997, Nënë Tereza u varros në selinë e Misionarëve të Bamirësisë në Kolkata, vend që tashmë është shndërruar në vend pelegrinazhi.

Reagimi zyrtar i Indisë erdhi pas kërkesës së kryeministrit shqiptar Sali Berisha për të diskutuar rreth mundësisë së kthimit të eshtrave të saj.

AFP-ja citon Berishën, duke nënvizuar se ai ka deklaruar se pavarësisht kundërshtimit të Indisë kjo çështje mbetet e hapur. "Qeveritë e dy shteteve duhet të flasim për këtë në një të ardhme të afërt," tha ai.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›