“Liria, Shqipëria në vend-numëro”
13/01/2010 Flet drejtori i studimeve në “Freedom House”, Uokër
Shqipëria ka mbetur në të njëjtin pozicion për sa i takon lirisë në këtë vend, sipas vlerësimeve të “Freedom House”. Drejtori i studimeve në këtë organizatë, Kristofer Uokër, gjatë një interviste për “Zëri i Amerikës” ka deklaruar se vendi ynë është vend pjesërisht i lirë. “Çka do të thotë se ka shënuar përparime të konsiderueshme vitet e fundit, por në të njëjtën kohë ka një element ngecjeje. Pra, ka ende hapësirë për përmirësim. Në raport ne kemi përmendur disa nga presionet që qeveria ka ushtruar te media, gjë që është shqetësuese dhe sigurisht që kjo sjell implikime për mbulimin dhe transparencën, që është e nevojshme për të luftuar korrupsionin që është një tjetër problem që ne kemi përmendur në raport”, - theksoi ai. Për sa u takon raporteve të ekzekutivit me institucionet e drejtësisë, Uokër tha gjithashtu se “prova është te përgjigjja e institucioneve dhe ajo që kemi parë në disa vende në disa pjesë të Evropës Juglindore dhe Lindore janë sfidat e vazhdueshme për pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë, çka do të thotë se ekzekutivi ka ende ndikim të mjaftueshëm, ose në disa raste të tepruar për të parandaluar veprime transparente dhe efektive për prokurorinë, kur është e nevojshme. Prandaj mendoj se rasti që ju përmendni kërkon një vigjilencë të madhe për të garantuar që drejtësia të kryhet hapur, me transparencë, në mënyrë që të sjellë rezultatet e duhura dhe të hapura gjyqësore”. Ballkani sipas “Fredoom House” është një nga rajonet me rezultate pozitive këtë vit. “Një numër vendesh shënuan përparim, përfshirë Serbinë, Kroacinë, Maqedoninë dhe Kosova ishte një nga vendet që ndryshoi kategori, duke kaluar nga grupi i vendeve jo të lira tek ato me liri të pjesshme”, - vijoi Uokër