Kreditimi në nivele të ulëta, s’ka kërkesë
13/01/2010 Aktiviteti ekonomik
Bie kërkesa për konsum dhe investime si rrjedhojë e dobësimit të aktivitetit ekonomik në vend. Banka e Shqipërisë thekson se ecuria e kredisë në të ardhmen do të jetë përcaktues i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik, ndaj gjykon se sistemi bankar mund dhe duhet të bëjë më shumë përpjekje për të transmetuar politikën lehtësuese monetare të ndjekur prej saj në shtimin e kreditimt të ekonomisë. Gjatë muajit nëntor të viti të kaluar, Banka e Shqipërisë ka vazhduar mbështetjen e kërkesave për likuiditetin e sistemit bankar me instrumentin e repo-ve. Sistemi bankar ka reaguar për reflektimin e kësaj uljeje në interesat e kredisë dhe të depozitave në lekë. Reagimi i agjentëve ndaj uljes së normës bazë të interesit për monedhën vendase pritet të përcillet më tej në tregun e depozitave dhe kredive. Ndërkaq, të dhënat e Bankës Qendrore raportojnë për një aktivitet kreditues të ngadalësuar të bankave, duke shënuar një rritje vjetore të portofolit të kredisë prej 12 për qind. Kredia për bizneset mban peshën kryesore në zgjerimin e portofolit të kredisë, ndërkohë që kredia konsumatore dhe ajo hipotekore janë kontraktuar. Tregues të tregut ndërbankar dëshmojnë për një rritje të vëllimit të tregtimit, ndërsa normat e interesit kanë shfaqur një prirje rënëse.
Ligji i ri
Ligji për pagesën me bono të privatizimit në masën 50 për qind ka hyrë në fuqi prej datës 24 nëntor 2009. Personat që kanë bërë pagesën me lekë në dorë duhet të paraqesin një kërkesë pranë ALUIZNI-t për të marrë mbrapsht 50 për qind të vlerës së paguar me para në pagesë me letër me vlerë. Kjo vlen edhe për veprimet e bëra me pagesat para miratimit të ligjit të ri. Kërkesat për pagesat me bono do të bëhen deri më 24 shkurt.
Kërkesat
Qyteti i Tiranës ka vëllimin më të lartë të dosjeve që janë përfshirë në procesin e legalizimit, me mbi 86 mijë të tilla. Ndaj pritet që edhe fluksi më i lartë i kërkesave të shkojë pikërisht në zyrat e Agjencisë së Legalizimeve për Tiranën. Pas ndryshimeve që iu bënë ligjit për legalizimet pritet që rreth 40 - 45 mijë qytetarëve t’u lindë e drejta për përdorim të bonove të privatizimit dhe letrave me vlerë.