“Shërbëtorët e Zotit”, 35 vjet burg
13/01/2010 Mbyllet plaga e “Fëmijëve të tij”, dëshmitë që fundosën anglezët e padëshiruar
Abuzime për vite me radhë me 40 fëmijë, i bashkohen të tretit në qeli
Përfundoi dje në gjykatë drama e 40 fëmijëve të qendrës bamirëse “Fëmijët e tij” dhe shuhen për 20 vjet epshet e dy shtetasve anglezë, të cilët u dënuan me 35 vjet burg. Ata për 6 vjet me radhë përdorën metoda çnjerëzore kundër tyre. Dënohen me 35 vjet e 6 muaj burg, si dhe detyrim për t’u larguar nga vendi pas vuajtjes së dënimit, dy shtetasit anglez, Dino Kristodulu dhe Robin Arnold, drejtues të qendrës bamirëse “Fëmijët e tij”. Duke lexuar vetëm dispozitivin e vendimit, gjyqtarja Shefkie Demiraj, i deklaroi fajtor dy anglezët për veprën penale të “kryerjes së marrëdhënieve seksuale dhe homoseksuale me të mitur”. Gjyqtarja gjatë leximit të dispozitivit u shpreh se gjatë gjykimit u provua plotësisht kryerja e veprës penale dhe për këtë arsye dy të pandehurit duhet të shpallen fajtor. Prokuroria e Tiranës u tregua më e ashpër në konkluzionet përfundimtare për dy shtetasit anglez. Ajo kërkoi dënimin për Dino Kristodulun, me 22 vjet burg dhe për Robin Arnold dënimin me 17 vjet burg. Ndërkohë që gjykata pranoi si të përshtatshëm kërkesën e akuzës për të larguar përfundimisht nga vendi ynë dy shtetasit anglez pas vuajtjes së dënimit. Leximi i vendimit nga gjykata ka sjell edhe reagimin e një prej të pandehurve. Dino Kristodulu ka reaguar gjatë vendimit duke detyruar gjykatën të urdhërojë largimin e tij nga salla e gjyqit. Mes britmave për pafajësi dhe duke e cilësuar gjykatën të korruptuar, anglezi, i cili gjatë seancave nuk ka folur shqip, është detyruar të largohet për të mos dëgjuar pjesën e fundit të vendimit. Kanë mbi shpinë, akuzat, turpin dhe mëkatin që kanë bërë ndaj fëmijëve, por përsëri e quajnë veten shenjtorë, besimtarë tek zoti dhe kërkojnë pafajësi. Për gati një vit me radhë, gjykata ishte arbitre mes dëshmive të dhëna nga fëmijët, mbrojtjes që mundoheshin të bënin dy anglezët dhe Prokurorisë, e cila i servirte provat për të zbardhur fatkeqësinë e këtyre fëmijëve. Duket se përgjatë gjithë seancave dhe marrjes së dëshmive, ndonëse u dhanë me dyer të mbyllura kaluam nëpërmjet ndonjë skenari filmi, të cilin e sheh dhe më pas kujtohesh se është vetëm një lojë. Gjithçka që është rrëfyer është e jetuar dhe ka kaluar nëpërmjet dhimbjeve të mëdha. Por këto dhimbje kanë prekur trupat e dhjetëra fëmijëve jetim dhe të mitur, të cilët për të siguruar bukën e gojës u strehuan në shtëpinë bamirëse “Fëmijët e tij” të drejtuar nga tre shtetas anglez. Fëmijët janë rrahur, keqtrajtuar, dhunuar seksualisht dhe fizikisht, kanë provuar shije të hidhura të rritjes së një fëmije ndryshe nga ajo që ata ndiejnë kur ndodhen në rrugë për të lypur.
Djali 9-vjeçar
“Unë jam një nga ata fëmijë që jam abuzuar seksualisht nga Dino Kristodulu dhe Robin Arnold. Në netët që të dy këta vinin në shtëpi ne ishim të terrorizuar. Ata vinin dhe në një dhomë të veçantë na merrnin një nga një duke kryer marrëdhënie. Unë qaja, por ata na mbyllnin gojën duke na thënë se do të bëheshim më mirë, por nuk duhej të tregonim asgjë.”
I terrorizuar
“Unë kam vajtur në qendër që në moshën 1-vjeçare. Në familje jemi shumë fëmijë dhe prindërit nuk kanë pasur mundësi të më mbanin me bukë. Ata pranuan të shkoja në qendër. Kam qëndruar aty për 6 vjet. Por të them të drejtën do të ndihesha më mirë në rrugë se sa në atë qendër. Baba Davidi dhe Dino më kanë keqtrajtuar. Ata për çdo natë vinin më merrnin dhe bënin me mua gjëra të turpshme”
Fëmija në Amerikë
“Unë tani jam 17 vjeç. Në kohën kur vajta tek qendra isha vetëm 10 vjeç. Fillimisht ne shkuam në qendër për të marrë ndihmë sociale dhe ekonomike, pasi ishim tepër të varfër në familje. Në këtë strehë fillimisht ne gjetëm përkrahje. Por gjithçka vazhdoi më vonë. Unë dua të flas për veten time. Tani jam i rritur dhe i kuptoj të gjitha ato që kanë bërë me mua në atë moshë të vogël dhe pa përkrahje. Mua për çdo natë më merrte dhe më lante në dush Robin Arnold”
“Fëmijët e tij”
Ujqërit që “gllabëronin” delet e buta
E cilësuar deri më tani si e vetmja “horror-qendër” në të gjithë kohërat për shqiptarët “Fëmijët e tij” ishte si ta thuash një farë specialiteti plus për pedofilët e shfrenuar që pasi kishin bredhur në Tailandë apo në vende të tjera zemërgjera, krijuan kontaktet edhe me mikun e tyre në Shqipëri. David Braun tashmë e kishte gjetur strehën e tij perfekte, ashtu i strukur në një shtëpizë, ambientet e së cilës i kishte marrë me qira, ai hapi edhe një faqe interneti, ku “ujqërve” u duhej vetëm të klikonin atje dhe nëpërmjet lidhjes me shefin Braun, ata organizonin vizita flesh në Tiranë, ku mbaronin punë shpejt e shpejt. Të paralizuara komplet, të gjitha instancat shtetërore mbetën pa fjalë, kur mësuan në media këtë lajm të turpshëm, teksa mjekët eksperto-ligjorë nuk u besonin syve kur gjetën shenja përdhunimi tek fëmijët.