Liria e Kosova kërkojnë pikët e qetësisë
Liria dhe Llakmos Kosova do të kërkojnë pikë për t’i ikur pjesës së poshtme të tabelës në përballjen e tyre, që do të zhvillohet të premten në Gjakovë, në kuadër të xhiros së 13-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.
Vushtrriasit javën e kaluar e shijuan fitoren pas 10 xhirosh ndaj Vëllaznimit, kurse prizrenasit nxorën një pikë të rëndësishme në Drenas ndaj Ferronikelit. Kjo ka bërë që këto dy skuadra t’i hyjnë këtij dueli të motivuar në kërkim të pikëve, të cilat u munguan në 12 xhirot e para të kampionatit.
“Pas ndeshjes me Ferronikelin, apetitet tona janë rritur. Jemi në mungesë të pikëve, jemi të gatshëm edhe për fitoren e radhës. Tri pikët e reja do të na linin më të qetë dhe më të rehatshëm në ndeshjet që kanë mbetur deri në fund të vitit. Ekziston një mobilizim i të gjithëve dhe njëzëri lojtarët janë betuar se do të mundohen që të dalim fitues, edhe pse janë të hapura të gjitha rezultatet”, deklaroi trajneri i Lirisë, Skënder Kapra.
Në anën tjetër, trajneri i vushtrriasve Luan Prekazi pret që nga Gjakova të rikthehet së paku me një pikë, pas fitores së rëndësishme ndaj Kuqezinjve. “Duke e pasur parasysh se kemi numër të vogël të pikëve dhe përkundër vështirësive që kemi siç janë kartonët dhe lëndimet që i kemi pësuar në ndeshje me Vëllaznimin, megjithatë ne në Gjakovë do të shkojmë me synimin që të kthehemi të pamposhtur. Edhe një barazim ndaj Lirisë do të ishte i mirëseardhur, por fitorja do të ishte edhe më domethënëse për ne”, tha trajneri i njohur kosovar.
Raiffeisen Superliga – Java XIII
E premte Ora
Liria – Ll. Kosova 14.00
E shtunë
Besa – Trepça 13:00
Drenica – Ferronikeli 13:00
E diel
Vëllaznimi – Prishtina 13:00
Drita – Hajvalia 14:00
Trepça ’89 – Hysi 14:00