E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajnerët, ‘viktima’ të gjyqtarëve

Pas vetëm nëntë xhirosh në La Liga kanë ndodhur shtatë raste të përjashtimeve të trajnerëve, barabartë me numrin e komplet edicionit të kaluar. Kjo statistikë ka brengosur Shoqatën e Trajnerëve, që ka zhvilluar një takim me Komitetin Teknik të Gjyqtarëve. Palët janë pajtuar që gjyqtarët të jenë më të qetë në vendimmarrje, por edhe trajnerët të mos e teprojnë me kundërshtimet e tyre.

Trajnerët nga La Liga kanë kërkuar që gjyqtarët të jenë më të qetë në raport me ta. Pas vetëm nëntë xhirosh kanë ndodhur shtatë përjashtime të trajnerëve, numër i njëjtë me gjithë stinorin e kaluar. Tito Vilanova, Mauricio Pochettino, Paco Herrera, Miroslav Djukic, Michel, Manolo Jimenez dhe Paco Jemez të gjithë janë dërguar në tribuna, kurse asistentët Toni dhe Michel Troin nga Espanyol, përkatësisht Real Sociedad po ashtu janë përjashtuar.

Kjo është përcjellë me takim mes presidentit të Shoqatës së Trajnerëve, Eduardo Caturla, me presidentin e Komitetit Teknik të Gjyqtarëve, Victoriano Sanchez Arminio, të mërkurën. Strategu i Deportivo La Corunës, Jose Luis Oltra, përmblodhi ndjenjat e shumicës së trajnerëve. “Ne trajnerët ndihemi pak të persekutuar nga gjyqtarët. Ata janë bërë më të vetëdijshëm rreth nesh, por sigurisht se duhet të intervenojë Komiteti i Gjyqtarëve”, theksoi Oltra.

Për më tepër, Caturla shpjegoi për AS: “Gjyqtarët janë më tepër të përqendruar te protestat dhe gjestikulacionet dhe janë përqendruar në këto dy gjëra kurse futbollistët, asistentët, zyrtarët, e të tjerë, ngriten nga bankina dhe po ashtu bëjnë gjeste në drejtim të gjyqtarit të katërt. Ata besojnë se kjo nxit reagimin e tifozëve”. Caturla theksoi se gjatë takimit mes dy komiteteve, të dyja palët kërkuan respekt të ndërsjellë.

“Kërkojmë qetësi dhe që gjyqtarët të mos jenë kaq strikt. Trajnerët e përjetojmë çdo ndeshje nën presion dhe nganjëherë si rezultat i kësaj vjen deri te ndonjë gjest. Ne kërkojmë që gjyqtarët e katërt të tregohen më të qetë dhe të mos përqendrohen aq shumë të bankina. Por, edhe trajnerët duhet të mundohen të jenë më të qetë. Merrni shembullin e Ligës së Kampionëve, ku rrallë herë vjen deri te ndonjë përjashtim”, u shpreh Caturla. Kushtet e reja të sjelljes nuk vlejnë vetëm për La Ligë, insistoi Caturla.

“Këto duhet të përcillen në të gjitha kategoritë përfshirë La Tercera dhe Preferente. Trajnerët dhe gjyqtarët duhet të punojnë ngushtë”, theksoi ai. Në fund të sezonit 2012-13 të dyja palët pritet të takohen sërish në prezencë të trajnerëve dhe gjyqtarëve për të diskutuar rreth strategjisë për stinorin e ardhshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›