E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria fillon nga xhepi im

Nuk ka fjalë më të dëshiruar se "liria", nuk ka fjalë më të keqtrajtuar se "liria". Të gjithë flasin për lirinë, të gjithë bëjnë thirrje për liri, por shumë pak e kuptojnë në të vërtetë se ç‘është liria. Madje, në bisedat e përditshme, të krijohet përshtypja se liria për secilin është kaq e ndryshme në kuptimin e vet sa, zor se i gjendet përkufizimi. Por ama po të jetë për thirrje "Liri - demokraci", këtu të gjithë bien dakord, pa e kuptuar "pse"-në e thelbit të thirrjes.

Protestat që nisën më 10 tetor, nga opozita, kanë padyshim në përmbajtjen e tyre "lirinë" e zgjedhjeve, si një liri thelbësore e demokracisë. Dhe jam e bindur se shumica e popullit e përkrah këtë protestë. Madje edhe kundërshtarët më ekstremistë të Ramës, nuk kanë asnjë argument për t‘iu kundërvënë protestës. E gjithë bota proteston për lirinë, kur kjo cenohet. Dhe në këtë rast protesta nuk është as destabilizim, as imazh negativ për Shqipërinë, dhe as veprim "armiqësor" për të penguar futjen në Europë! Europa vetë proteston dhe fort bile. Madje, nëse bota e qytetëruar do të ndeshej qoftë dhe me një shkelje të lirisë, do të protestonte pa u lodhur deri në realizimin e lirisë së kërkuar. Në Shqipëri mund të protestohet çdo ditë, sepse çdo ditë ne ndeshemi në shkelje të lirisë dhe të drejtave tona. Mund të protestojmë për sigurinë e jetës, për lirinë e pronës, për lirinë e medias …për …Por realisht nuk ndodh kështu. Shqiptarët protestojnë gjithnjë e më pak. Ndaj dyshoj që dhe protesta e nisur nga opozita do të arrijë të përmbushë qëllimin e saj final; hapjen e kutive të votimit. Një popull i varfër nuk mund t‘u rezistojë dot gjatë problemeve të demokracisë. Sepse liria fillon nga xhepi im.

Së pari; nëse i kam kushtet e mira ekonomike, kam të gjitha mundësitë të flas për demokracinë, të debatoj për të dhe të luftoj për të. Nëse fëmija im, më kërkon t‘i blej diçka në fund të muajit, kur rroga është në përfundim, dhe unë ia plotësoj dëshirën, atëherë flas për demokracinë dhe luftoj për lirinë. Por në të kundërtën? Kur llogaritë e ditës nuk dalin dhe kur mundësitë për punë dhe fitim janë gati zero, si i bëhet? Atëherë hyn në lojë, politika. Të varfrit kapen pas saj me forcën e të mbyturit. E shikojnë atë, si kamerdaren që ju hidhet për të shpëtuar nga varfëria. Prandaj janë dhe kontingjenti më i mundshëm për t‘u mashtruar. Pozita politike, mund t‘i gënjejë me premtime për vende pune, për më shumë mundësi fitimesh etj., etj. Mund t‘i rikthejë kundër frymëzuesve dhe luftëtarëve të lirisë së zgjedhjeve! Madje ajo mund ta përdorë protestën popullore si një mbulesë të mire të dështimeve të saj për integrimin në Europë. Por ia faturon këtë opozitës. Dhe njerëzit e varfër, që nuk dëshirojnë më as të rrinë në këtë vend, duan viza. I besojnë qeverisë. Gradualisht do vetëpërjashtohen nga protesta pa e kuptuar asnjëherë se çfarë rëndësie kanë zgjedhjet e lira për vendin. Dhe në këtë rast, njerëzit pranojnë gënjeshtrat e Kryeministrit dhe e brohorasin atë, si hero. Janë të gatshëm të mblidhen në çdo tubim politik, që e organizon partia në pushtet, duke mos ditur se çfarë fitojnë dhe përse brohorasin. Vetëm shpresojnë. Migjeni, kur fliste për "legjendën e misrit" tregonte me dhembje se si malësori krenar, përkulej para kokrrës së misrit…. Nuk mund të ketë debat për demokraci dhe liri, me barkun bosh dhe xhepat e shpuar. Pa lejuar kritikët të tregojnë revoltat e shumta për liri dhe demokraci në botë, revolta të bëra dikur dhe nga njerëz të varfër, dua të sjell në vëmendje faktin e dytë.

Pra, së dyti: duke qenë e ndërgjegjshme që më së pari në protesta duhet të ngrihen pikërisht ata që nuk kanë me se të shtyjnë ditën, përsëri i mbetem idesë se ky target ka patjetër nevojë të edukohet në lidhje me demokracinë dhe lirinë. Kështu që rolin edukativ në këtë mes e luan sërish politika, por kahu i saj opozitar. Opozita duhet të marrë përsipër rolin e ndërgjegjësimit politik, jo të shpërdorimit të besimit. Kjo do të thotë që opozita duhet të ngrejë në këmbë popullin, jo vetëm në protesta madhore në kryeqytet, por në radhë të parë për t‘i siguruar atë çka ai ka më të parën, në listën e nevojave të tij; bukën e përditshme. Kjo do të thotë se njerëzit duhet të mësohen të protestojnë në radhë të parë për lirinë e tyre, për pronën dhe punën e përditshme me të cilat mbajnë gjallë mirëqenien e familjeve të tyre. Nëse nuk arrin ta bëjë këtë opozita, nuk mund të presë që të protestojnë me ndërgjegje, (apo që ta kuptojnë rëndësinë e protestës) për zgjedhje të lira, njerëz, që nuk kanë bukën e përditshme.

Së treti: jam dakord me idenë se po nuk protestuam për lirinë e zgjedhjeve nuk do të arrimë asnjëherë demokracinë e vërtetë. Por rrethi bëhet vicioz. I varfëri ka mundësi të mashtrohet dhe mashtruesi e ka më të lehtë të luajë me votën e tij. Pra ngado ta sjellim, përsëri problemi shkon te "xhepi". Shqiptari, që është i gatshëm të kundërshtojë për çdo gjë, nuk bëhet dot i gatshëm, të kundërshtojë për probleme madhore, që u përkasin të gjithëve. Paradoksi shqiptar duket qartë në emisionet e mëngjesit. Po sjell një shembull të një 75-vjeçari nga Dibra, që gati ulërinte në mikrofonin e telefonit të tij, kundër "rrugaçit" Rama, sikundër e quajti ai, i cili, nuk po e le të qetë Berishën në punën e tij e që kërkon, po sipas tij, të na ndajë nga bota. Dhe më tej, ky qytetar, ishte ende jashtë në çadra, nga tërmeti i rënë disa javë më parë, sepse qeveria, as që e kishte vrarë mendjen për të. Por ai protestonte për politikën e "madhe". E solla shembullin, vetëm për të treguar, se sa nevojë ka shoqëria jonë të edukohet me protestën që fillon nga gjendja ime personale, nga nevojat e mia. Dhe këtë duhet ta bëjë opozita, pavarësisht se është socialiste apo demokrate. Duhet ta bëjë media, por e lirë nga politika, duhet ta bëjmë të gjithë me mundësitë që kemi. Protesta është liria më e madhe që mund të shfrytëzohet, për të fituar lirinë e kërkuar. Prandaj ajo duhet përdorur me zgjuarsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›