Prokuroria, misteret e Artan Kristos
Njeriu që njihet ndryshe edhe si Muhamed Abdullah ka rënë në sy që në vitin 2002 për një raport të acaruar me Salih Tivarin. Artan Kristo, një besimtar i devotshëm që bënte pjesë te rryma radikale, dy vite para vrasjes së sekretarit të përgjithshëm të Komunitetit Mysliman ishte emëruar përfaqësues i fondacionit "Al Haramain" në Shqipëri. Fondacioni, i cili me vendim të qeverisë shqiptare të vitit 2004 hyri në listën e financuesve të terrorizmit, kishte kërkuar dhjetëra herë të realizonte investime në Shqipëri, por me një kusht: që paratë të depozitoheshin në arkën e Komunitetit Mysliman dhe më pas të investoheshin si financime të këtij institucioni. Salih Tivari e kishte kundërshtuar këtë veprim. Ndërkohë, Artan Kristo kishte marrë miratim nga zyrtarë të tjerë të Komunitetit Mysliman, me të cilët shkon në zyrën e Tivarit. Dy dëshmi janë administruar nga prokuroria. Në to thuhet se Artan Kristo dhe Salih Tivari kanë shkëmbyer fjalë të rënda dhe kërcënime në zyrë, në praninë e një zyrtari tjetër të lartë të Komunitetit Mysliman. Të paktën tri letra të dërguara nga Komuniteti Mysliman në adresë të "Al Haramain" tregojnë, sipas prokurorisë, "kërcënimet" me të cilat përballej Salih Tivari, që duhej të pranonte financimet. Pas kërkesës për financime nga "Al Haramain", sipas prokurorisë, qëndronte një tjetër pretendim i Artan Kristos. Bëhet fjalë, sipas burimeve, për ndërtimin e pallateve dhe objekteve të tjera në tokat që ishin në pronësi të Komunitetit Mysliman në Durrës, Elbasan dhe Berat. Të gjitha këto ndërtime pallatesh dhe objektesh të tjera do të realizoheshin me paratë që do të xhiroheshin nga arka e komunitetit. Por Tivari nuk ka pranuar jo vetëm financimet, por as ndërtimet në pronat e institucionit. Pak muaj para vrasjes së tij, në një mbledhje në xhaminë e Durrësit, ndodhi edhe konfrontimi. Teksa Tivari po mbante fjalën e tij, Artan Kristo me një person që, sipas policisë, mbante inicialet G.D., dalin demonstrativisht nga xhamia, mbyllin derën dhe mbajnë pjesëmarrësit peng përgjatë katër orëve, deri në ndërhyrjen e forcave të policisë.