Gjoni: Vizat, qeveria ka dështuar me reformat
Partia Socialiste akuzoi përsëri qeverinë shqiptare se ka dështuar në realizimin e reformave që do të sjellin liberalizimin e vizave. Deputeti i kësaj partie, Ilir Gjoni, tha se qeveria, ndërsa ka dështuar në përmbushjen e reformave, tenton t‘ia faturojë dështimin e saj në këtë proces opozitës. Deputeti socialist renditi një sërë detyrash që nuk janë kryer nga qeveria. Sipas Gjonit, nuk është zbatuar strategjia dhe plani i veprimit kundër trafikut të drogës dhe nuk janë përmirësuar masat për aksesin në informacion mbi kapjen e drogës dhe personave të përfshirë në pikat e kalimit kufitar. Ai përmendi gjithashtu se nuk është amenduar ligji për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe se nuk është zbatuar strategjia ndërsektoriale, si dhe plani i veprimit antikorrupsion. Nuk janë implementuar ende plotësisht rekomandimet e Këshillit të Europës (GRECO) për çështjet e korrupsionit. "Berisha dhe qeveritarët e tij janë bërë si ai mbreti lakuriq i Andersenit. Përmes disa veprimeve vulgare e provinciale, mundohen të impresionojnë ende shqiptarët përmes publikimit të letërkëmbimit protokollar me personalitete të ndryshme ndërkombëtare, duke i paraqitur ato si mbështetje personale. Këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse ofrojnë material për emisionin popullor "Portokalli", deklaroi Gjoni.