E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria mbetet pa yje?

Nga Express më 20 korrik 2011 në ora 12:17

Liria i ka filluar përgatitjet për sezonin e ri të martën. Në stërvitjen e parë kanë qenë të pranishëm vetëm 14 futbollistë prizrenas, kryesisht nga ekipi i juniorëve. Ftesës së trajnerit Behajdin Gjinali nuk iu përgjigjën lojtarët kryesorë, të cilët e bajtën barrën kryesore sezonin që shkoi.

Në stërvitje munguan edhe katër futbollistët nga Gjakova, Roland Duraku, Luigj Buqaj, Alban Dylazeka dhe Debatik Qarkaxhia. Këta të fundit nuk janë të kënaqur me tretmanin që patën në klubin bardhezi, në aspektin ekonomik.

Ata ankohen për rrogat që ua ka borxh klubi, ndërsa nuk insistojnë se nuk do ta pranojnë ofertën e re të klubit, i cili vendosi t’i zvogëlojë pagat, për sezonin e ardhshëm. Një rikthim i tyre në Vëllaznim duket se është gjithnjë e më i mundshëm. “Që nga fundi i sezonit të kaluar, i kemi në solucion. Të shohim në ditët e ardhshme”, deklaroi trajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli.

Alban Dylazeka, njëri nga futbollistët gjakovarë që i mbrojti ngjyrat e Lirisë sezonin e kaluar, thotë se klubi prizrenas ua ka borxh katër rroga. ai nuk është i sigurt nëse katërshja gjakovare do të mbetet në Prizren edhe sezonin e ardhshëm.

“Do të bisedojmë me udhëheqësit e Lirisë, e më pas të shohim. Do të vendosim bashkërisht. Unë kam edhe oferta të tjera. Kemi pasur kontakte edhe me Vëllaznimin, për një rikthim të mundshëm”, deklaroi futbollisti i krahut të djathtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›