E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrena e Çanit

Edgar Çani nuk po tregohet i sinqertë ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai ka thënë se deri më tani nuk ka marrë asnjë ftesë nga Shqipëria. Por Redi Jupi, shef i talentëve, ka demantuar sulmuesin shqiptar për të cilin thotë se më herët është ftuar në ekipin U21. Nga Moral Pozhegu më 20 korrik 2011 në ora 12:18

Mundi i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për ta ofruar Edgar Çanin në ekipet kuqezi, jo që ka shkuar huq, por si duket i ka dalë nga mendja edhe vetë sulmuesit.

21-vjeçari, i cili para disa dite u huazua nga Palermo në Polonia Warszawas, në një intervistë për mediat polake ka thënë se nuk është kontaktuar asnjëherë nga FSHF-ja, për të luajtur për Kuqezinjtë.

“Prindërit e mi shkuan në Itali kur unë isha 11 muajsh. Përpos që kam njohuri për këtë vend, nuk kam ndonjë lidhje apo shoqëri të ngushtë me Shqipërinë. Nuk kam luajtur për asnjë kategori të të rinjve të këtij vendi, askush nga Federata nuk kishte kontakte me mua. Për këtë, qe 5 vjet i kam prezantuar dokumentet e nevojshme për ta marrë nënshtetësinë italiane. Jam ende në një pritjeje të autoriteteve italiane”, u shpreh Çani për uebfaqen polake gwizdek24.se.pl.

Në anën tjetër, menjëherë ka arritur replika e shefit të zyrës së talenteve në Federatën Shqiptare të Futbollit, Redi Jupi, i cili vërteton se shtëpia e futbollit shqiptar e ka kontaktuar në të kaluarën futbollistin shqiptar.

“Nuk është e vërtetë ajo që thotë Çani. Në të kaluarën, ai është kontaktuar, por ka vënë kushte. Atij i është propozuar të luajë për ekipin U-21, ndërsa Edgari ka kërkuar të luajë menjëherë në ekipin e parë. Momentalisht nuk bën pjesë në planet tona, sepse i kemi katër sulmues më të mirë se ai. Nëse ka progres, në të ardhmen mund të ftohet”, tha Jupi për Express.

I lumtur në Poloni

Edgar Çani hoqi dorë nga njëra prej ligave më të forta botërore, ajo e Italisë, për të zbarkuar në Poloni, në ekipin Polonia Warszawa. 21-vjeçari shënoi gol qysh në ndeshjen e parë për ekipin polak, kundër kampionit të ri të Borussia Dortmundit.

“Më kërkonin disa klube nga Serie B italiane, por nuk isha i interesuar të luaja në ligën e dytë. Por, vendosa ta zgjedh ekipin polak, i cili më kërkonte me ngulm. Nuk mund ta fsheh faktin se këtu jam mjaft i lumtur. Në përgjithësi, jam i kënaqur që e zgjodha Polonian”, deklaroi Çani për uebfaqen polake gwizdek24.se.pl.

Katër vjet më parë, kur po luante në Pescara, Çani kërkohej nga Interi, por në fund e kishte pranuar ofertën e Palermos, ku mendonte se do të luante më shumë. Por, klubi sicilian e huazoi rregullisht në ekipet e Serie B si Ascoli, Padova dhe së fundmi në Modena. Çani, i cili në Itali krahasohej me sulmuesin e shquar Cristian Vieri, dëshiron të fitojë trofe me ekipin e ri, Polonia Warszawa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›