E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikja e talenteve, e tmerrshme

Redi Jupi, shef i talentëve në Federatën Shqiptare të Futbollit, e konsideron të tmerrshme dhe për keqardhje aderimin e talentëve shqiptarë në përfaqësueset e huaja. Ai thotë se një futbollist që ndihet shqiptar, nuk mund të luajë për një skuadër tjetër. Ish-reprezentuesi i Shqipërisë siguron se po e bën të pamundurën që t’i afrojë talentët shqiptarë në Kombëtare. Nga Moral Pozhegu më 20 korrik 2011 në ora 12:21

Me ose pa fajin e saj, Kombëtarja shqiptare ka humbur shumë futbollistë të mëdhenj, të cilët vendosën t’i mbronin ngjyrat e përfaqësueseve të vendeve të tjera.

Duke u nisur nga Valon Behrami, pastaj Albert Bunjaku, Blerim Xhemajli, Xherdan Shaqiri, Emir Bajrami, Granit Xhaka etj, janë të panumërt futbollistët shqiptarë që mbrojnë ngjyrat e kombëtareve të tjera.

Edhe pse Federata e Futbollit të Shqipërisë ka treguar neglizhencë në të kaluarën, shefi i zyrës së talentëve në këtë institucion, Redi Jupi, nuk i arsyeton aspak futbollistët shqiptarë që vendosin të luajnë për kombëtaret e tjera.

“Ky është një fenomen i moçëm, i cili në vitet e fundit është duke u zbehur. Por, është e tmerrshme që lojtarët shqiptarë zgjedhin kombëtare të tjera. Në Evropë është zhdukur kjo dukuri, vetëm futbollistët afrikanë aktualisht mbrojnë ngjyrat e kombëtareve të tjera. Është për keqardhje ky fakt, që është evident te ne. Një lojtar në Evropë e zgjedh një kombëtare tjetër vetëm nëse është lojtari i 1000-të në vendin e tij dhe që nuk ka gjasa të luajë aty”, deklaroi Jupi për Express.

Ai siguron se FSHF-ja gjithmonë e bën të pamundurën për t’i afruar futbollistët shqiptarë, për të cilët konsideron se janë të nevojshëm për Kombëtaren. Ai e pranon se kuqezinjve u ka kushtuar në të kaluarën procedura e stërzgjatur e pajisjes me pasaporta, por as këtë fakt nuk e arsyeton që futbollistët të shkojnë në një përfaqësuese tjetër.

“Një futbollist që ndihet shqiptar, duhet t’i mbrojë ngjyrat e Shqipërisë. Kohëzgjatja e pajisjes me pasaporta në Shqipëri nuk duhet të jetë arsye për të shkuar diku tjetër”, vijoi ai.

Sipas ish-futbollistit të disa skuadrave shqiptare, lojtarët shqiptarë gabojnë kur zgjedhin kombëtare të tjera, ngase gjasat për të luajtur në ekipin senior të tyre, janë minimale.

“Rasti i fundit është ai i Alban Bunjakut. Nuk është se po i hapim luftë Anglisë, por mendoj se maksimumi që mund ta bëjë ai është të luajë për U-21 të këtij vendi. Me këtë rast, ky vend po na bllokon. Të njëjtën gjë po e bën edhe Zvicra, ku luajnë më së shumti futbollistë shqiptarë. Aty mund të luajnë plot futbollistë për U-21, por kur vjen koha e Kombëtares A, rrallë ndonjë depërton, duke mbetur pa luajtur më pas as për Zvicrën, e as për Shqipërinë”, përfundoi Jupi.

Kombëtarja shqiptare vazhdimisht është e kërcënuar nga përfaqësuese të ndryshme evropiane, për rekrutimin e talentëve kosovarë. Përpos Alban Bunjakut, Kuqezinjtë mund të mbeten edhe pa Adnan Januzajn, i cili mund t’i bashkohet Belgjikës dhe Ylli Sallahin, i cili thashëm ka marrë pasaportë austriake.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›