Liria në Shqipëri u rrëzua këtë vit
Shtëpia e Lirisë na rendit në vend të 107 nga 102 që qemë vitin e kaluar.
Organizata kryesore botërore mbi liritë themelore të popujve, Freedom House, e uli vlerësimin për Shqipërinë në raportin e saj të fundit me 1 pikë duke na renditur në vend të 107 në rang botëror nga vendi 102 që qemë në raportin e vitit 2011.
Në një raport të publikuar në freedomhouse.org, organizata amerikane e vlerëson Shqipërinë si një vend pjesërisht i lirë dhe raporton se liritë dhe të drejtat e njeriut te ne kanë pësuar rënie gjatë 12 muajve të fundit.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria renditet e gjashtëmbëdhjeta, po aq sa vitin e kaluar, por Kosova ka fituar një vend duke kaluar para nesh ndërsa Maqedonia ka humbur një vend duke zbritur poshtë nesh. Kosova ka fituar dy pikë në një shkallë nga 1 në 100, ku 1 është liri e plotë dhe 100 është mungesë totale e lirisë. Maqedonia ka humbur plot gjashtë pikë në këtë renditje.
Polarizimi dhe bllokimi mes Partisë Demokratike në pushtet dhe Partisë Socialiste në Opozitë u intensifikua gjatë vitit 2011 duke dëmtuar më tej përpjekjet e Shqipërisë për të fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, thotë Shtëpia e Lirisë. Në janar, një skandal korrupsioni detyroi zëvendëskryeministrin Ilir Meta të dorëhiqet dhe solli protesta nga opozita, gjatë së cilave katër demonstrues u qëlluan dhe u vranë. Gjatë zgjedhjeve për pushtetin vendor në Maj, një kandidat demokrat fitoi një garë kyçe për postin e kryebashkiakut të Tiranës me vetëm disa vota më tepër pas një beteje politike tepër të politizuar, vijon më tej raporti.
Raporti i plotë në anglisht për Shqipërinë mund të lexohet këtu:
5 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)