Martin Shultz: Zgjedhja e Presidentit të jetë e pranueshme nga populli
Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shultz i bëri thirrje klasës politike shqiptare që zgjedhja e kreut të ri të shtetit të jetë një vendim i pranueshëm për popullin, pasi në këtë mënyrë sipas tij do të jetë i tillë edhe nga bota e jashtme. Sipas Shultz, zgjedhja e kreut të shtetit është një moment i rëndësishëm, sidomos kur vendi ka jo pak probleme, pasi ai ka një rol të madh në drejtim e vendit, dhe veçanërisht në sistemin e drejtësisë.
Këto deklarata të Presidentit të Parlamentit Europian u bënë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm, njëkohësisht zv/kryeministrin shqiptar, Edmond Haxhinasto i cili ndodhet që prej dy ditësh në një vizitë zyrtare në Bruksel.
“Zgjedhja e presidentit duhet të jetë e pranueshme nga populli. Kur ajo është e pranueshme nga populli, atëherë është edhe nga bota e jashtme. Pra, zgjedhja e presidentit në një moment kur në vend ka jo pak probleme, është e nevojshme dhe ne shpresojmë që vendi do të gjejë një president, duke ditur gjithashtu influencën e madhe që ai ka në sistemin e drejtësisë në Shqipëri”, – deklaroi presidenti i PE-së, Martin Shultz.
Por presidenti i PE nënvizoi faktin se, duhet të ecet më tutje me reformat e marra përsipër nga vendin ynë në mënyrë që Shqipëria të përmbushë kriteret e vendosura nga BE dhe të marrë statusin e vendit kandidat, që është një nga pikësynimet më madhore të momentit.
5 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Martin Shultz: Zgjedhja e Presidentit të jetë e pranueshme nga populli burimi: Gazeta Shqip