E Diel, 1 Nëntor 2026

Liria qe fitohet nëpërmjet paqes, një leksion shqiptar që vlerësohet edhe nga Akademia Bonifaciane

18-12-2010 / Gazeta 55

- Instituti i Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi” dha dje një pritje me rastin e nderimit të z.Arben Imami me Çmimin e Paqes “Bonifaci VIII”


- Fahri Balliu: Nderimi për Imamin, një nderim për vlerat e shqiptarëve si bashkëthemelues të qytetërimit perëndimor


Instituti i Kërkimeve Politike “Alcide De Gasperi” dha dje në “Piazza Restaurant” një pritje, me rastin e nderimit të Arben Imamit, ministrit të Mbrojtjes, me çmimin e paqes “Bonifaci VIII”, akorduar nga Akademia Bonifaciane. Çmimi është themeluar në vitin 2003, në 700-vjetorin e vdekjes së Papa Bonifacit, si një nderim unik për Vatikanin, për të gjitha ato personalitete, klerikë ose jo, që kontribuojnë për promovimin e paqes, edhe në zona ku ajo ende mund të tingëllojë si utopi.  Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë personalitete të politikës, religjionit, artit e medias. Merrnin pjesë edhe ministri Lulzim Basha, ish-ministrat Aldo Bumçi e Bujar Leskaj, si dhe këshilltarët e kryeministrit, Petraq Milo e Ylli Asllani. Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Institutit të Kërkimeve Politike “Alcide de Gasperi” Z. Fahri Balliu, e vlerësoi çmimin e akorduar ministrit Imami, si një promovues i paqes dhe i vlerave të tolerancës, si një çmim që akordohet për të gjitha ato segmente e faktorë të shoqërisë shqiptare, ndër të cilat, edhe vetë Instituti “Alcide de Gasperi”, që punojnë që sa më shpejt, vendi të integrohet në hapësirat euroatlantike, në atë qytetërim, ku shqiptarët janë bashkëthemelues, që në kohën e lindjes së krishterimit. Përshëndetja e plotë e publicistit Fahri Balliu Zonja dhe Zotërinj, Jemi të mbledhur këtu sot për të përshëndetur marrjen e çmimit ndërkombëtar të Paqes Bonifaci VIII, nga ana e Ministrit të Mbrojtjes Z. Arben Imami. Është hera e parë që ky çmim prestigjioz i jepet një personaliteti të vendit tonë. Më parë ky çmim u është dhënë shumë figurave të shquara të Perëndimit, si për shembull: Papa Gjon Palit të II, Presidentëve të Italisë Skalfaro e Çiampi, senatorit të përjetshëm Xhulio Andreoti, etj. Me respekt, Instituti i kërkimeve politike “Alcide De Gasperi” organizon këtë aktivitet për të vlerësuar, edhe më tej kontributin e jashtëzakonshëm të Z. Imami për të promovuar idenë e lirisë, dhe nëpërmjet saj të Paqes. Padyshim liria është një kusht i domosdoshëm për të arritur Paqen. Të gjithë e dinë se Arben Imami është angazhuar në politikë, si pedagog i Arteve, në një moment vendimtar për të ardhmen e lirisë së tij personale dhe të qytetarëve shqiptarë. Të mos harrojmë këtu që regjimi stalinist shqiptar nuk ra vetë, por u shemb nga studentët dhe lëvizja e Dhjetorit. Sigurisht Z. Imami ka meritën e padiskutueshme, si një prej udhëheqësve të kësaj lëvizje demokratike që luftonte për liri, ta realizonte me mjete paqësore dhe jo me dhunë këtë ndryshim regjimi, siç ndodhi në Rumani. Instituti i Studimeve Politike “De Gasperi” transmeton frymëzimin e dijeve e ideve pro-europiane, të cilat më së miri kanë gjetur vend tek roli e figura e politikanit e europianistit të madh të shekullit XX, Alcide de Gasperi. Për Institutin “De Gasperi” figura e intelektualit dhe politikanit Z. Arben Imami është realizmi i ndërgjegjes kombëtare dhe rikthimi i vetëdijes europiane të shqiptarëve nëpërmjet mesazheve të herëpashershme. Populli Shqiptar tashmë është kthyer në faktor të rëndësishëm të instalimit të Paqes dhe mbi të gjitha të Dialogut, Bashkëjetesës dhe Vëllazërisë mes etnive, kulturave dhe besimeve të ndryshme fetare. Respekti i këtij populli të lashtë për esencën e jetës humane, për progresin njerëzor e mbi të gjitha lirinë e personit ka mbetur i njëjtë e i pandryshueshëm edhe pse i është dashur të përmes luftërave, përballjeve dhe mohimeve. Jam i lumtur për nderimin e Z. Imami dhe të Shqipërisë me këtë çmim ndërkombëtar të Paqes sepse konfirmon edukatën qytetare dhe shpreh ndjenjën e thellë humane të ndjesës”. Në përshëndetjen për të pranishmit, Arben Imami falënderoi publicistin Balliu, si drejtues i Institutit “Alcide de Gasperi”, për ceremoninë, duke e vlerësuar atë si një bashkëluftëtar në përpjekjen e përbashkët për të promovuar vlerat që e shpejtojnë integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane. “Kultura evropiane ka lindur në Gadishullin e Ballkanit, tha ndër të tjera ministri Imami. Ajo themelohet nga shtrati judeo-greko-romak e më pas zhvillohet nga kultura e Kishës Katolike. Ndërsa rrugëtoja drejt qytetit të Anagnit, qytetit me histori qindravjeçare në kulturë e art, qytetit ku ndodhet edhe Akademia Bonifaciane, nuk mund të mos më kalonte nëpërmend viti i largët 1303 dhe episodi i njohur si “Lo Schiaffo...” shuplaka morale e Papa Bonifacit VIII, tha ministri Imami. Detajet e kësaj ngjarjeje tregojnë një konfrontim të dhimbshëm mes pushteteve të kohës së Papatit nga njëra anë dhe absolutizimit mbretëror nga ana tjetër, tha Imami, çka na sjellin në vëmendjen mesazhin, edhe sot e kësaj dite të paprekshëm, se Liria është një kusht i domosdoshëm për paqen”. Më tej, të pranishmit, mes një atmosfere të përzemërt, shkëmbyen idetë e tyre rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, si një proces i pandalshëm, i cili mund të përshpejtohet veç duke përqafuar në një numër sa më të madh (dhe duke mos i penguar) mësimet e Papa Bonifacit VIII mbi lirinë dhe paqen.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›