E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edukimi nëpërmjet Garës

Kohët e fundit, studentët e Fakultetit të Mjekësisë janë përfshirë në një lëvizje premtuese. Pavarësisht nga renditja e tyre, këto kërkesa janë të drejta Intensiteti i kësaj lëvizjeje, për fat të keq po vjen duke u fashitur, por elementet që ajo nxori në pah janë shumë të rënda dhe komprometuese për sistemin arsimor në shëndetësi. Studentët manifestojnë se nuk u bëhet mësim, nuk u bëhen leksione, nuk u bëhen praktika, pra ata kërkojnë t’u bëhet mësim, të mësojnë, të përmbushin objektivin kryesor për të cilin ata vazhdojnë fakultetin. Kërkesave të kësaj lëvizjeje iu bashkëngjitet edhe publikimi i të dhënave të një sondazhi për korrupsionin në universitete. Përfaqësues të këtij sondazhi bënë publike se 65% e studentëve kanë paguar për rezultatin e provimit. Kjo është një e dhënë tronditëse. Organizmi që ka bërë këtë sondazh duhet të punojë me të gjitha institucionet për të bërë të mundur zvogëlimin deri në zhdukje të këtij fenomeni që po shkatërron sistemin arsimor në tërësi por edhe atë me Nobel-arsimin mjekësor.
Këto lëvizje janë shpresëdhënëse dhe duhet të përkrahen nga pedagogët, pra nga të gjithë ata që nuk e konsiderojnë veten se abuzojnë me detyrën e shenjtë të mësuesit. Jo vetëm kaq, por kësaj lëvizjeje duhet t’i bashkohen të gjithë mjekët e rinj që ëndërrojnë të kalojnë konkursin e specializimit për të denoncuar deformimin që i është bërë dhe manipulimin që pritet të ndodhë javët në vijim. Kursi i specializimit të mjekëve zgjat 3 deri në 5 vjet dhe përbën ciklin e tretë të studimeve mjekësore. Në vendet demokratike pranimi në ciklin e tretë të studimeve mjekësore kryhet me një konkurs kombëtar, me shkrim, në të njëjtën kohë me kuota të mbyllura vendesh (numerus closus) të paracaktuara nga shteti. Kjo është e sanksionuar në ligjin e arsimit të lartë. Fatkeqësisht, në vendin tim kjo nuk është bërë realitet. Këtë vit ky konkurs duhej të ishte realizuar që në shtator, janë në garë mbi 1200 mjekë të rinj për më pak se 300 vende. Ky proces këtë vit ka hyrë në një circum vicioz ku ligji, rregulloret apo vendimet, kundërshtojnë apo përjashtojnë njëra- tjetrën.
- Në muajin maj 2010, Fakulteti i Mjekësisë dhe Këshilli Shkencor i tij vendosën që pranimi i mjekëve të rinj në ciklin e tretë të studimeve mjekësore; pra specializimi i mjekëve të rinj; të bëhet me konkurs kombëtar, në një ditë të vetme mbi një numër të mbyllur të paracaktuar. Duke u bazuar në eksperiencat e përparuara u gjykua se kjo është metoda më e mirë, për të mos thënë e vetme, që siguron barazi në këtë garë sepse secili zgjedh çka meriton. Pasi u zyrtarizua, ky vendim iu dërgua Rektoratit të UT dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke vënë theksin jo vetëm që të zbatohet për vitin akademik 2009-2010, por edhe të propozohet për t’u futur në ligjin e Arsimit të Lartë.
-Në 22 korrik 2010, Parlamenti i Shqipërisë miraton ligjin 10307 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin e Arsimit të Lartë”, që në thelb kthejnë shërbimin si njësi bazë të FM, pra shkrihen departamentet.
-Më 30 gusht 2010, Universiteti i Tiranes, Senati akademik merr vendimin nr.30 “Për miratimin e rregullores së konkursit për studimet e specializimeve afatgjata në FM për vitin akademik 2009-2010” dhe i dërgon FM rregulloren përkatëse me nr.protokolli 166/26 dt 18/08/2010. Në rregullore shpjegohet me detaje se:
a) Nuk do të jetë një konkurs nacional, në një ditë të vetme dhe mbi numerus closus, por një (disa) konkurs(e), i cili (të cilat) do të zhvillohen në departament/shërbime. Kjo pikë iu heq shanset e zgjedhjes së një alternative tjetër atyre kandidatëve që nuk arrijnë pikët në specialitetin që prezantohen.
b) Vlerësimi do të jetë 50% nga nota mesatare, 30% nga provimi me shkrim dhe 20% nga intervista. Ky lloj vlerësimi krijon premisa për subjektivizëm dhe është vulnerabël për korrupsion.
Siç shihet qartë në këto rregullore të çrregulluara, përzgjedhja e mjekëve që do të specializohen për të ardhmen është futur në një spirale të paligjshme, e pandershme për profesoratin e FM dhe e padrejtë për kandidatët. Ndërsa studentët e FM me lëvizjet e fundit arritën të bëjnë publike kërkesat e tyre, mjekët e rinj, kandidatë për specializantë, nuk arritën të organizohen për ta kundërshtuar këtë farsë jo për moskuptim, por nga konformizmi. Ata në heshtje, me apo pa dashje, kanë pranuar të fillojnë këtë garë pa rregulla, duke nisur nga data 20 dhjetor, periudhë kjo (pa dashur të paragjykoj) jo aq adekuate për të marrë një nismë kaq të rëndësishme.
Këto ndryshime të pasinkronizuara dhanë rezultatet e tyre/ Fakulteti i Mjekësisë sot është me një dekanat të dobësuar dhe jo eficient, me një këshill shkencor që nuk i zbatohen vendimet, me shërbime të vlerësuara pas shkrirjes së departamenteve, por me shefa shërbimesh të paligjshëm, sepse mandati i shefave të shërbimit ka mbaruar më 15 mars 2010. Me ligj, ne ishim zgjedhur për 5 vjet. I vetmi institucion që duket se funksionon është Rektorati, i cili është i pa-orientuar mirë për Arsimin Mjekësor sepse kërkon të implementojë në FM të njëjtin sistem që përdoret në Fakultetin e Ekonomisë apo të Filologjisë.
Për ta përfunduar këtë artikull më shumë informues sesa krijues, do të shkruaja se: Indiferentizmin e MASH, tendencën e Rektoratit për ta futur Arsimimin Shëndetësor në një rrugë pa krye, individualizmin e mjekëve të rinj dhe mos ndërgjegjësimin e tyre për të kërkuar një të drejtë legjitime, do ta paguajë cilësia e Arsimimit Mjekësor dhe pas 10 vjetësh, cilësia e shërbimit shëndetësor që do të marrin shqiptarët.
*Profesor i Universitetit të Tiranës President i Shoqatës së Oftalmologëve të Europës Juglindore

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›