E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri thërret Nikçin te Zvicra

Xherdan Shaqiri e ka ftuar Adrian Nikçin t’i bashkohet përfaqësueses së Zvicrës. Mesfushori ofanziv kosovar është ende i pavendosur nëse do të luajë me Kombëtaren shqiptare apo me Helvetikët.

Ai i ka përfaqësuar këta të fundit në ekipin U-21, ndërsa festimi i golit duke e formuar me duar shqiponjën dykrerëshe, simbol i shqiptarëve, në debutimin me Hannoverin ka zgjuar shumë polemika në Zvicër.

“Shpresoj që të luajë për Zvicrën. Ottmar Hitzfeld e njeh atë dhe shpresoj që ta thërrasë. Uroj se Nikçi të vazhdojë me ritëm të njëjtë. Ai e nisi mjaft mirë aventurën në Hannover, kjo është super”, deklaroi Shaqiri në një intervistë për ueb faqen 20min.ch.

Futbollisti i ri i Bayern Munichut tregon se ka kontakte të vazhdueshme me Granit Xhakën, me të cilin luan së bashku në përfaqësuese dhe dëgjohet kohë pas kohe edhe me Admir Mehmedin. Përpos Shaqirit, Mehmedit e Xhakës, te Zvicra luajnë edhe futbollistët tjerë shqiptarë, Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Beg Ferati e Albert Bunjaku.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›