E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liria veç për fitore

Pas tri humbjeve të njëpasnjëshme, Liria të shtunën do ta japë atomin e fundit përballë Trepçës për t’iu rikthyer fitoreve. Për ta arritur këtë, prizrenasit haptazi e kanë kërkuar edhe ndihmën e tifozëve të fqinjëve të tyre, Ballkanit. Por, ky insistim i bardhezinjve nuk po e tremb Trepçën. Madje, edhe ‘Xehetarët’ synojnë të dalin triumfues nga kjo përballje.

Liria e ka nisur mjaft dobët këtë edicion, ngase prej katër ndeshjeve të para i ka pësuar tri disfata, derisa e ka shënuar vetëm një fitore.

Mirëpo, këtë bilanc negativ të rezultateve skuadra bardh e zi do të mundohet ta përmirësojë të shtunën përballë Trepçës, me të cilën do të takohet në Therandë në kuadër të xhiros së pestë të Superligës.

Prizrenasit këtë ndeshje e zhvillojnë në folenë e fqinjit të tyre Ballkanit, ngase stadiumi i tyre është pezulluar nga Federata, pasi është në gjendje të rëndë infrastrukturore. Por, bardhezinjtë thonë se në Therandë gjithmonë ndihen si në shtëpinë e tyre, andaj, përveç tifozëve të tyre, ata u kanë bërë thirrje edhe therandasve për t’i mbështetin fuqishëm në luftë me Trepçën, ndaj të cilës do të kërkojnë fitore.

“E dimë që Trepça ka futbollistë shumë cilësorë dhe me përvojë, por ne e kemi përparësinë e fushës dhe jemi të kompletuar. Nga futbollistët e mi pres angazhim si asnjëherë deri tash në mënyrë që të korrim fitore”, ka thënë trajneri i Lirisë, Skënder Kapra, për ueb faqen zyrtare të klubit.

Mirëpo, ekipi nga qyteti i lashtë nuk do ta ketë aspak të lehtë ta arrijë këtë objektiv, ngase përballë do ta ketë Trepçën, e cila po aplikon futboll shumë cilësor, pavarësisht dy humbjeve të pësuara deri më tani karshi dy fitoreve të shënuara.

‘Xehetarët’ synojnë që në Mitrovicë të kthehen me fitore apo të paktën me një pikë. “Do ta kemi të vështirë në atë terren jo të mirë. Megjithatë, unë pres një rezultat sa më pozitiv, sepse edhe një humbje do të ishte e tepërt për ne. Objektiv yni është fitorja, por edhe barazimi nuk do të ishte rezultat negativ për ne”, tha trajneri i gjelbërezinjve, Shefqet Kurti.

Kjo ndeshje fillon në orën 16:00 dhe është e vetmja që luhet të shtunën, derisa të dielën zhvillohen tri takime tjera. Xhiroja e pestë përfundon të hënën me përballjen mes Drenicës e Vëllaznimit.

Superliga – Xhiroja V

E shtunë

Liria – Trepça

E diel

Drita – Prishtina

Besa – Ferronikeli

Hysi – Hajvalia

E hënë

Drenica – Vëllaznimi

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›