E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lirimi i hapësirave publike – Kryeministri publikon video nga aksioni, edhe ministrat në terren

Qeveria ka rikonfirmuar vendosmërinë për të çliruar hapësirat publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga subjekte tregtare apo veprimtari të tjera private.

Kryeministri Edi Rama publikoi një video të shkurtër nga një prej ndërhyrjeve të fundit në terren, me përshkrimin simbolik: “Çarja e bllokadave vazhdon”.

Ministrat e kabinetit janë në terren, ndërkohë, për të ndjekur zbatimin e këtij aksioni. Me fokus të veçantë, aksioni parashikon edhe subjektet që ushtrojnë aktivitet, si gomisteritë, të cilat jo vetëm zënë hapësira publike, por krijojnë dhe ndotje mjedisore me mbetje të rrezikshme.

Gjatë inspektimeve të fundit, shumë prej subjekteve janë njoftuar për shkeljet dhe kanë reaguar në mënyrë bashkëpunuese, duke mbyllur vullnetarisht aktivitetin. Inspektorati Tiranë ka publikuar hartën e zonave të liruara, të cilat kanë rikthyer vetëm në kryeqytet disa mijëra katrorë hapësira publike në shërbim të qytetarëve.

Në Lushnjë, aksionin e ndoqi nga afër ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili tha se do t’i jepet fund njëherë e mirë fenomenit të zaptimit të hapësirave publike.

“Askush nuk mund të zaptojë hapësirat publike për qëllime personale. Askush nuk mund të pengojë qarkullimin dhe funksionimin normal të jetës urbane në qytetin e Lushnjës. Ndaj është momenti t’u bëjmë thirrje të gjithë sipërmarrësve dhe individëve, të cilët në mënyrëtë padrejtë kanë zaptuar hapësira publike, t’i lirojnë ato vullnetarisht në mënyrë që të evitojnë pastaj masat ndëshkuese. Është shumë e rëndësishme që së bashku të ndërtojmë një klimë ku sundon fryma e ligjit dhe një klimë ku respektohen hapësirat e përbashkëta,” u shpreh ministri Malaj.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike është pjesë e vizionit “Rilindja Urbane 2.0”, dhe do të pasohet nga një rregullore e re kombëtare, që do të përcaktojë me ligj se cilat zona lejohen të shfrytëzohen nga bizneset.

Ndërhyrjet kanë nisur në fillim të korrikut dhe prej 1 gushtit janë shtrirë edhe përgjatë akseve kombëtare me mbështetjen e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit, në përputhje me ligjin për mbrojtjen e territorit.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›