Lirimi i hapësirave publike në Tiranë – Nënkryetari i Bashkisë, Sulaj ndjek ndërhyrjet në njësinë 9

Aksioni për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet vijon.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, inspektoi zonën e njësisë nr. 9 për të parë ecurinë.
“Ka edhe raste të tjera, që janë në shumicë, që akoma nuk e kuptojnë se kjo është reformë, e cila ka filluar dhe nuk ka për të mbaruar deri në largimin e platformave të fundit, që këto sipërfaqe publike t’i kthehen qytetarëve. Bashkia e Tiranës është e angazhuar që të gjitha sipërfaqet publike të zëna në kundërshtim me ligjin nga bizneset apo të tjerë, t’u rikthehen qytetarëve,” tha z. Sulaj.
Por jo të gjitha bizneset po e respektojnë ligjin, pasi hapësirat publike janë shndërruar në parkingje makinash. Sipas nënkryetarit Sulaj, do të merren masat e duhura për raste të tilla abuzive.
“E përdorin disa qytetarë, kur aty mund të jenë 1 mijë familje,” u shpreh nënkryebashkiaku i Tiranës.
Njësia nr. 9 në kryeqytet është një nga zonat me densitet më të lartë të ndërtimeve dhe me numrin më të lartë të sipërfaqes së hapësirës publike të zënë.
Nga ana e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), sipas drejtorit Klajdi Meçi, bizneseve u është lënë një afat njëjavor për çmontimin vullnetar, ndërkohë që shumica e tyrnuk është përgjigjur pozitivisht, ndaj edhe IMT-ja do të marrë masat dhe procedurat administrative, të cilat do të shoqërohen me vendim gjobe dhe prishje.
Gazetare: Melisa Shameti
/rtsh.al/